Maqedoni

Protestë në Beograd: Nuk do të lejojmë që Vuçiqi të ikë si Gruevski!

Mijëra njerëz u tubuan sot në qendër të Beogradit, në protestën më të madhe që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale më 17 dhjetor, njofton KlanM.

Në organizim të nismës “ProGlas”, në protestë simbolikisht iu dha “kartoni i kuq” institucioneve, kurse të pranishmëve iu drejtua edhe liderja e opozitës Marinika Tepiq, që nisi grevën e urisë më 18 dhjetor.

“Këto zgjedhje patjetër të anulohen” – deklaroi Tepiq.

Në Beograd nuk është duke ndodh skenari “ukrainas” apo “maqedonas”, por kjo është lufta jonë për liri – ka deklaruar njëri nga liderët e opozitës “Serbia kundër dhunës”.

“Nuk do të lejojmë që Aleksandar Vuçiqi të arratiset sikurse Nikola Gruevski, pasi dëshirojmë që të gjykohet sipas ligjeve të Serbisë” – ka deklaruar deputeti i opozitës Srgjan Milivojeviq.

Blloku opozitar “Serbia kundër dhunës”, sic njofton KlanM, ka akuzuar partinë serbe në pushtet SNS-në për parregullsi zgjedhore, veçanërisht në zgjedhjet për Beogradin.

“Për shkak të cënimit të vullnetit të lirë të qytetarëve, kërkojmë që në afat prej 6 muajve të mbahen zgjedhje të reja parlamentare dhe lokale në Serbi, pasi të bëhen ndryshime thelbësore të kushteve zgjedhore” – ka njoftuar nisma “ProGlas”, duke shtuar se në protestën e sotme në Beograd kanë patur më shumë se 10.000 njerëz./KlanMacedonia