Gashi: Anëtarësimi në NATO është vendimi më i mirë që është marrë kurdoherë për qytetarët e Maqedonisë së Veriut
Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO ka qenë hapi më i madh dhe më i rëndësishëm i këtij shteti pas shpalljes së pavarësisë, vlerëson kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, në intervistën për Agjencinë e Lajmeve Zhurnal, në kuadër të projektit “Mos besoni në dezinformata, ne jemi NATO”.
Ai pa aspak dyshim shton se anëtarësimi në NATO është “vendimi më i mirë që është marrë kurdoherë për qytetarët e Maqedonisë së Veriut”.
“Në këtë mënyrë është vulosur aleanca strategjike e RMV-së, duke i mbyllur të gjitha dilemat dhe pretendimet. Po i përmend dy gjëra, sa për ta kuptuar se çfarë fitore ka qenë kjo. Kur u bë referendumi për pavarësi, më 8 shtator 1991, pyetja e tij ishte edhe me një shtesë që gjithmonë ka mundur të jetë problem. Aty shprehimisht thuhej “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë që ajo të bashkohet në ndonjë aleance të ardhshme të shteteve sovrane të ish Jugosllavisë?”. Kjo ka qenë gjithnjë një vegëz që nuk ka qenë e rrezikshme vetëm për pavarësinë dhe sovranitetin e Maqedonisë, por ka qenë problem edhe për neve, shqiptarëve, në veçanti, ngase kjo e kishte lënë mundësinë e kthimit të Maqedonisë në ndonjë ombrellë të përbashkët me Serbinë. Por, anëtarësimi në NATO e ka mbyllur çdo mundësi interpetimi të tillë dhe Maqedonia e Veriut është bërë pjesë e aleancës më të fuqishme të sigurisë në botë, në të cilën Serbia nuk pranon të anëtarësohet. Dhe, leksioni i dytë na vjen nga Ukrania. Duke mos qenë nën ombrellën e NATO-s, e shohim se sa lehtë ajo u kthye në një shtet të cilin Rusia e ka bërë poligon të agresionit të saj. Prandaj, anëtarësimi në NATO është vendimi më i mirë që është marrë kurdoherë për qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe mua më vjen mirë që në vitin 2018 edhe ne ndihmuam në arritjen e këtij suksesi, duke u bërë pjesë e qeverisë e cila e bëri ndryshimin e emrit të shtetit dhe e mundësoi këtë anëtarësim. E sa i përket mundësisë së përfitimit ekonomik, duke u bazuar në të dhënat e rritjes ekonomike dhe nivelit të investimeve të huaja, ka qenë evidente që çdo shtet i cili është anëtarësuar në NATO, në vitin e parë ka pasur rritje të dukshme të këtyre indikatorëve. Megjithatë, sa i përket rastit tonë ka pasur jashtëzakonisht pak investime të huaja dhe, rrjedhimisht, rritje më të vogël ekonomike. Pra, në aspekt të sigurisë kemi përfituar shumë, por në rrafshin ekonomik nuk mund të shprehemi me nota të larta”, shprehet Gashi.
Alternativa për momentin është pjesë e koalicionit opozitar “Lëvizja Evropiane për Ndryshim”. Ai thekson se partimet bazë të këtij koalicioni janë pjesë e Deklaratës për koalicion dhe se ato do të jetësohen pas zgjedhjeve të ardhshme në Maqedoninë e Veriut.
“Po ne nuk kemi nevojë ta zbulojmë ujin e ngrohtë. Këtë e kemi shkruar si e zeza mbi të bardhë në Deklaratën tonë të koalicionit Lidhja Europiane për Ndryshim. Integrimi në BE, si detyrimi i pakompromistë i vendosur, lufta kundër korrupsionit, duke e shtyrë amendamentin kushtetutes për mosvjetrimin e lëndëve të korrupsionit politik, avancimi i të drejtave etnike të shqiptarëve, duke e emërtuar me emrin e saj gjuhën tonë amtare, pastaj sundimi i ligjit, reforma në sistemin arsimor, për çka aq më shumë na bindën rezultatet e PISA-s dhe avancimi i mirëqenies ekonomike të qytetarëve, por edhe mbrojtja e familjes tradicionale, janë shtyllat e angazhimit tonë politik. Në kohën që do të jemi në pushtet, ndërsa kjo do të jetë pas 8 majit 2024, progami ynë qeveritar do të mbështetet në këto premisa, pastaj detajet do të jenë detyrë e ekipeve tona, ndërsa zbatimi do të jetë detyrim i kuadrove tona qeverisëse”, thekson Gashi duke u përgjigjur në pyetjen tonë.
Në këtë linjë, ai rikujton edhe kontributin që ka dhënë partia Alternativa për anëtarësimin në NATO, proces të cilin e quan “storje suksesi”? “E thashë pak më sipër se më 2018 e stabilizuam shumicën e brishtë qeveritare, që duhej ta marrë vendimin për ndërrimin e emrit të shtetit dhe kështu e krijuam mundësinë që ajo ta marrë vendimin për ta bërë këtë hap të madh e me përmasa historike. Në këtë mënyrë, duke u bërë pjesë e kësaj storjeje suksesi, ne e dëshmuam edhe anën tonë dhe dolëm përtej interesave tona të ngushta partiake, sepse iu bashkuam një shumice e cila e bëri hapin vendimtar për këtë”, shton Gashi.
Pritej që pas Marrëveshjes së Prespës dhe anëtarësimit të vendit në NATO, Maqedonia e Veriut të marë së shpejti edhe datë për fillim të negociatave, gjë që tani ka ngecur. Gashi mendon se për këtë vetëm formalisht faji qëndron tek “veto bullgare”, por për ngecjen fajëson edhe politikat qeverisëse, të cilat sipas tij për momentin janë të gabuara.
“Natyrisht, që vetoja bullgare është arsyeja formale që ne nuk i kemi filluar negociatat për aderim në BE, por unë do të isha i lumtur sikur të ishte vetëm ajo arsyeja. Ashtu do të kishim një adresë të fajtorit, që nuk varet nga ne. Por, kur kësaj ia shtojmë informacionet se gjatë kësaj kohe kjo qeveri dëshmoi se ka ikur larg nga agjenda e eurointegrimit, kjo është shndërruar më në shqetësim. I keni personat e listës së zezë, të afërt me këtë pushtet, por edhe aferat e korrupsionit, që e renditën Maqedoninë e Veriut ndër vendet më të korruptuara në botë, si dëshmi se ky pushtet integrimin e ka sllogan pa përmbajtje ose pankartë, në anën e prapme të së cilës fshihet prirja për manipulim me drejtësinë, si dhe korrupsioni i lartë. E kujtojmë këtu pastaj miratimin e Kodit Penal me flamur europian, për çka patëm vërejtje edhe nga aleatët tanë perëndimorë, me të cilin u stimulua korrupsioni dhe krimi, ndërsa shndërrimi i vendit në çerdhe të lojërave të fatit dhe stimulimi i tyre, që janë në pronësi të njerëzve të afërt me këtë pushtet, ka lënë shije të keqe jo vetëm te aleatët tanë në Bruksel, por aq më shumë tek ne si politikanë e si qytetarë. E kur kësaj ia shtojmë edhe presionin ndaj gjykatave, siç ishte trysnia mbi kryetaren e Gjykatës Supreme, si dhe faktin se Prokurori Publik mbrohet nga ky pushtet edhe për t’u përballur me interpelancë, gjithçka bëhet e qartë. Kjo qeveri ka shkarë krejt nga agjenda eurointegruese dhe krejt kjo çfarë llafosin është për përdorim medial. Megjithatë, kjo fatkeqësi i ka dy lajme të mira: i pari është se aleatët tanë i kanë lexuar ata dhe kjo po dëshmohet me listën e zezë amerikane dhe me vërejtjet serioze të Komisionit Europian, ndërsa lajmi i dytë i mirë është se krejt kjo përfundon më 8 maj, kur hapet një epokë e re e angazhimit serioz dhe pa ekuivoke për aderim në Bashkimin Europian”, ka nënvizuar kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, në intervistën e tij për Zhurnal.