Ndodh në Maqedoni: Polici e ka vozitur të burgosurin për punë private me urdhër të shefit
Departamenti për Punë të Brendshme Strumicë, në Prokurorinë Themelore Publike Strumicë, ka parashtruar kallëzim penal kundër V.T(41) dhe M.S.(49), të dy nga Strumica, punonjës në Burgun e Strumicës.
Ata dyshohen se kanë kryer veprat penale “keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar” nga neni 353 dhe “mundësimi i arratisjes së personit të privuar nga liria”.
“Më datë 04.12.2023, V.T, oficer në policinë e burgjeve, ka lëshuar urdhër për policin e burgut M.S. me veturë zyrtare ta çojë personin i cili ishte në vuajtje të dënimit me burg në kryerjen e detyrave private në një objekt afarist në Strumicë”.
“M.S edhe pse e dinte se një urdhër i tillë ishte në kundërshtim me ligjin, ai veproi sipas tij dhe kështu V.T dhe M.S. e kanë lejuar të dënuarin të largohet nga burgu edhe pse ai nuk ka pasur të drejtë të shfrytëzojë një objekt të tillë atë ditë”.
“Pasi i dënuari është dërguar në objektin afarist, ai ka hyrë i vetëm dhe pasi ka dalë nga objekti është arratisur”, thuhet në njoftim.