Maqedoni

Gjykimi nisi në vitin 2019, sot fjalët përmbyllëse për rastin “Llaskarca

Në Gjykatën Themelore Penale Shkup sot duhet të mbahen fjalë përmbyllëse për rastin “Llaskarca”, i cili ka të bëjë me aksidentin e autobusit që ndodhi në shkurt të vitit 2019 dhe në të cilin humbën jetën 16 persona dhe rreth 30 u lënduan.

Fjalë përmbyllëse sot duhet të japë prokurori publik, e më pas mbrojtja e të pandehurve, pas së cilës Gjykata do të duhet të caktojë shpalljen e aktgjykimit.

Të akuzuar në rastin e aksidentit në afërsi të Llaskarcës, që ka ndodhur më 13 shkurt 2019, janë Durmish Beluli, pronar i kompanisë “Durmo Turs”, personi përgjegjës për transportin në kompaninë, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, të cilët akuzohen për vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion. Ndërkaq për të njëjtën vepër akuzohen tre punonjësit e stacionit të kontrollit teknik, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski.

Gjykimi ka filluar në vitin 2019 dhe ka zgjatë katër vite, vitin e kaluar debatet në Gjykatën Penale iu referuan superekspertizës që Gjykata e ka porositur në dhjetor të vitit 2021, ndërsa e cila u refuzua nga fakultetet në shtet, me sqarim se ekspertët e tyre tashmë kanë marrë pjesë në ekspertizën paraprake ose nuk janë kompetentë për të njëjtën. Më pas Byroja për Ekspertizë Gjyqësore krijoi një ekip ekspertësh të licencuar, të cilët përgatitën një superekspertizë, i cili mbërriti në Gjykatën Penale pas një viti, në dhjetor 2022.