18-vjeçari shqiptar që hakoi sistemet e GTA 6 thotë se do t’i kthehet krimit kibernetik pas lirimit nga burgu
Një haker shqiptar 18-vjeçar që i shkaktoi 8 milionë euro dëm kompanisë që prodhon video-lojën Grand Theft Auto, është zotuar se do t’i kthehet krimit kibernetik kur të lirohet nga burgu.
Arion Kurtaj kishte vjedhur kodet dhe pamjet e video-lojës ende të pa lansuar GTA 6 që zhvillohet nga Rockstar Games.
Hakeri shqiptar në Britani, një anëtar kyç i grupit të krimit kibernetik Lapsus$, shantazhoi gjithashtu firmën e telekomit BT/EE, duke kërkuar shpërblim prej 4 milionë dollarësh.
Së bashku me një 17-vjeçar, emri i të cilit nuk përmendet, hakuan prodhuesin e çipave kompjuterik NVIDIA, kompaninë Uber dhe bankën online Revolut, midis korrikut 2021 dhe shkurtit 2022.
Një juri e dënoi Kurtajn nga Oksfordi, për 12 vepra të ndryshme pas një gjurmimi shtatë-javor në gusht.
Arion Kurtaj
Megjithatë, tani në një seancë dëgjimore u raportua se 18-vjeçari donte t’i rikthehej jetës së krimit pasi të lirohej nga burgu, sipas deklaratës së psikiatres së tij.
Adoleshenti, i cili ka qenë në paraburgim që nga shtatori i vitit të kaluar, u shfaq në seancën e tij të fundit gjyqësore përmes një video-lidhjeje nga qendra e paraburgimit për të mitur Feltham.
Personi tjetër që akuzohet me të, u dënua gjithashtu për kryerjen e një akti të paautorizuar në lidhje me hakerimin, mashtrimin dhe shantazhin ndaj Nvidias. Ai kishte pranuar fajin për dy vepra.
Gjyqtarja Patricia Lee do të dënojë të dy në Gykatën e Kurorës Southwark më vonë, por tha se Kurtaj do të ndalohet sipas Aktit të Shëndetit Mendor.
Lee lëshoi një urdhër të përkohshëm që Kurtaj të monitorohet për 12 javët e ardhshme për trajtim spitalor dhe psikiatrik, pasi sipas saj dyshohet se ai vuan nga çregullimet mendore.
“Mund të jetë e përshtatshme atëherë që të bëhet një urdhër spitali”, tha ajo.
Sipas lëndës, hakimet që ishin bërë në Rockstar, Nvidia dhe Uber kishin dëme me miliona.