Maqedoni

DASH: Marrëveshja e NATO-s ka hyrë në fuqi për Maqedoninë e Veriut

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken njoftoi sot se me depozitimin e instrumenteve për ratifikimin e Marrëveshjes për statusin juridik të NATO-s, marrëveshja ka hyrë në fuqi për Maqedoninë e Veriut, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Më 4 dhjetor 2023, Republika e Maqedonisë së Veriut depozitoi instrumentet për ratifikimin e Marrëveshjes për statusin e Organizatës të Marrëveshjes së Atlantikut të Veriut, përfaqësuesve kombëtarë dhe personelit ndërkombëtar”, tha Blinken.

Sipas pikës 26, paragrafi 2, Marrëveshja e NATO-s ka hyrë në fuqi për Republikën e Maqedonisë së Veriut më 4 dhjetor 2023, thuhet në njoftimin depozitues të Departamentit të Shtetit.

Qershorin e kaluar, Maqedonia e Veriut nënshkroi Marrëveshjen për statusin juridik të Organizatës së Marrëveshjes të Atlantikut të Veriut, përfaqësuesve kombëtarë dhe personelit ndërkombëtar, të miratuar në Otavë më 20 shtator 1951, e njohur si Marrëveshja e Otavës, njoftoi në atë kohë Ministria e Punëve të Jashtme.

Kjo Marrëveshje rregullon pozicionin e brendshëm juridik, privilegjet dhe imunitetet e organizatës, statusin dhe privilegjet dhe imunitetet e përfaqësuesve kombëtarë të shteteve anëtare të NATO-s dhe të personelit ndërkombëtar në NATO.