Lajm i trishtë: Diaspora në Amerikë humbi veprimtarin e palodhshëm, Rushit Hajro
Sot iku para kohe në amshim Rushit Hajroja, njëri ndër veprimtarët më aktiv për shumë dekada i komunitetit të Çikagos, Illinois. Në Çikago, ai erdhi në moshe shumë të re, por me vendlindjen dhe çështjen shqiptare ishte fort i lidhur deri në frymën e fundit. Biznesi i tij u shndërrua në një pikë takimi për shqiptarët dhe për shumë aktivitete kombëtare dhe bamirësie.
Ai ishte në ballë të aksioneve, në ballë të fushatave lobuese për çështjen shqiptare e në veçanti për pavarësinë e Kosovës, si me përfaqësuesit e Kongresit, Senatit dhe fushatat presidenciale. Pra, gjatë viteve të 90-ta, ishte forcë shtytëse e organizatave kombëtare të komunitetit të Illinois dhe më gjerë.
Rushit Hajroja ishte një njeri gjeneroz, një burrë bujar me shoqëri të gjerë, ishte një katalizator i komunitetit tonë në shumë aspekte. Ishte një ndër protestuesit më të rregullte në demonstratat e organizuara kundër dhunës sllave, në demonstratat për liri e pavarësi të Kosovës jo vetëm në Çikago por edhe në Detroit, Nju Jork, para selisë së OKB-së, në Washington DC, përpara Shtëpisë së Bardhë dhe në Capitoll Hill, si dhe në Dayton, Ohio.
Sjellja bujare, gjenerositeti dhe veprimtaria e tij e gjatë vullnetare, dhe fuqia e tij bashkuese për të pas dhe për t’i mbajtur miqtë do të mbeten si kujtim i paharrueshëm kolektiv i komunitetit shqiptaro-amerikan në Illinois dhe më gjerë për veprimtarin e respektuar. Rushiti, pos familjes, do t’i mungoj edhe komunitetit shqiptaro-amerikan në Illinois dhe shume me gjere.
Pusho në paqe veprimtar e mik, gjithëmonë do të mbetesh në kujtimet dhe zemrat tona! (Ramazan Bekteshi)