Maqedoni

Biznesmen’ja shqiptare Valdete Feta shpallet më e suksesshme në Maqedoninë e Veriut

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore vitin 2023 e përmbylli me organizimin e ngjarjes tradicionale të saj – TOP 100™ për të trembëdhjetën herë radhazi, duke e kremtuar së bashku suksesin e kompanive në vend, si dhe kontributin e tyre për rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Në këtë ngjarje kishte prezent figura eminente të biznesit dhe politikës, ambasada, institucione si dhe oda të vendit dhe nga rajoni. Në fjalimin e tij Kryetari i OEMVP-së z. Mendi Qyra shprehi falenderimet për pjesëmarrjen në ngjarjen TOP 100™ e cila shpalos se çfarë kemi bërë brenda këtij viti.

Sot jemi këtu për të shënuar sukseset e afaristëve tanë të cilëve përditshmëria e tyre u është shëndruar në kontribut për vendin qytetarët e saj dhe institucionet, krahas problemeve që kanë hasur gjatë rrugës.

Ndër tjerash, u nda edhe çmimi për biznesin e suksesshëm të udhëhequr nga një grua e që iu nda kompanisë Kenda Center, e udhëhequr nga Valdete Feta, e cila drejton këtë biznes shumë të suksesshëm tash e shumë vit me seli në Shkup.

Me këtë çmim, ajo ka treguar se një femër mund të jetë e suksesshme me punë dhe pasion duke ndjekur kështu ëndërrën për të qenë e pavarur në shoqëri.

TOP 100™ kompanitë gjatë vitit 2022 realizuan 1,3 miliarda euro qarkullim, neto fitim mbi 100 milion euro, ndërsa numri i të punësuarve arriti mbi 9400. Ata gjithashtu kanë realizuar investime në vlerë prej 64,6 milionë euro dhe eksport prej 186,6 miliona euro.

Ngjarja TOP 100™ shënon një moment vlerësimi dhe shpërblimi për kompanitë më të mira, duke theksuar arritjet e tyre të jashtëzakonshme dhe rëndësinë e tyre në nxitje të konkurrencës, por edhe në krijimin e një standardi më të mirë jetësor për qytetarët e vendit tonë.