Lajmet e rejaMaqedoni

Banorët e Çashkës vijojnë protestat kundër paraleles në gjuhën shqipe

Banorët e Çashkës vijojnë protestat kundër paraleles në gjuhën shqipe

Në shkollën fillore “Todor Janev” të Komunës Çashkë të Velesit as sot nuk kishte mësim. Banorët sërish protestuan duke përsëritur kërkesat e tyre, shfuqizimin e paraleles shqipe, rikthimin e kompetencave të arsimit Komunës Çashkë si dhe shqyrtimin e punës së drejtoreshes dhe Këshillit të prindërve. Ministri i Arsimit Jeton Shaqiri tha çdo ditë e humbur nga mësimi është në dëm të fëmijëve. Ai shtoi se gjendja e krijuar në Çashkë dhe organizimi i protestave kundër mësimit shqip është nxitur nga persona të caktuar nga opozita maqedonase, duke aluduar te deputeti i VMRO-DPMNE-së, Igor Zdravskovski i cili pak ditë më parë personalisht mori pjesë në protesta.

“Sipas informacioneve që kam unë mendoj që ka nxitje politike. E them këtë sepse edhe ju jeni dëshmitarë të një deklarate të një deputeti të opozitës i cili bën qoftë edhe thirrje për protestë dhe mbështetje të kësaj iniciative. Nga deklarata e deputetit të opozitës mund të shihet që thirrja e tij është kundër paraleles në gjuhën shqipe”, deklaroi Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës.