111 vjet nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë
Shqipëria shënon sot 111 vjetorin e Pavarësisë, një nga ngjarjet më të rëndësishme të kombit që përkujtohet çdo vit me krenari e patriotizëm nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.
Më 28 nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke e shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur.
Me rastin e kësaj dite të shënuar autoritetet lokale dhe ato qëndrore kanë organizuar evente të shumta që do të mbahen në disa qytete të vendit.
Festimet do të nisin në Vlorën e Ismailit aty ku do të kryhet ceremonia tradicionale e ngritjes së Flamurit me shkabën dykrenare. I pranishëm në këtë ngjarje do të jenë krerët më të lartë të shtetit, mes të cilëve dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Veçantia e kësaj feste do të jetë parada që do të mbahet në kryeqytet, ku do të parakalojnë kryetarët e bashkive dhe komunave nga të gjitha trevat shqipfolëse Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Presheva e Bujanoc.
Të ftuarit specialë janë krerët e komunave arbëreshe në Itali dhe përfaqësuesit e diasporës amerikane.
Përpos simpoziumeve dhe ceremonive përkujtimore të kësaj dite të shenjtë, festa e madhe do të përmbyllet në darkë me festivalin e Gjirokastrës, i cili sjell disa nga pjesët më të mira të këtij eventi.
Festime për Ditën e Flamurit do të ketë në të gjitha qytetet shqiptar, por kryeqendra si asnjëherë më parë, këtë vit do të jetë Tirana.
Sot 111 vjet më parë në Vlorë përfaqësues të vilajeteve shqiptare e shpallën pavarësinë e shtetit shqiptar. Kuvendi Kombëtar i Vlorës, mbledhjen e tij të parë e mbajti më 28 nëntor 1912, me aktin e shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar nga Perandoria Osmane.Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte kurorëzim i përpjekjeve shekullore dhe luftërave të pareshtura që bënë shqiptarët për çlirimin e vendit.
Por, për fat të keq, Qeveria e Vlorës pati një jetë të shkurt, pasi pak më shumë se një vit Qeveria e Vlorës u detyrua të tërhiqet dhe t’ i lëshoj vend një Qeverie të drejtuar nga një Princ i huaj i emëruar nga Fuqitë e Kohës.
Edhe më keq Shqipëria u godit në aspektin territorial, ushtritë e fqinjëve dhe luftërat ballkanike copëtuan gjysmën e territoreve të Shqipërisë, duke u aneksuar nga fqinjët, ndërsa Konferenca e Londrës e mbajtur më 1913 u pranoi pushtimet e territoreve shqiptare, duke i rrudhur kufijtë e Shqipërisë në mënyrë dramatike.
Gjysma e popullsisë shqiptare mbeten nën sundimin serbo- malazez dhe grek.
Pas shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor 1912 u formuan edhe organet shtetërore, Pleqësia dhe Qeveria e dal nga Kuvendi i Vlorës. U ngritën forcat e armatosura dhe ato të rendit dhe nisi puna për konsolidimin e arsimit, shëndetësisë, administratës, etj.
Qeveria e Vlorës vuri gurët e parë për krijimin e një sistemi gjyqësor sipas modeleve evropiane. Gjuha shqipe u shpall si gjuhë zyrtare dhe u vendos hapja e shkollave shqipe prej vjeshtës 1914. Akti më i rëndësishëm juridik që nxori Qeveria e përkohshme e Vlorës ishte”Kanuni i përkohshëm i administratës civile të Shqipërisë”, që u botua në nëntor 1913.
Kuvendi Kombëtar i Vlorës zgjodhi edhe Pleqësinë që duhej të kryente funksionet një organi këshillues e mbikëqyrës të qeverisë, me kryetar Vehbi Agolli.
Qeveria e Vlorës:
Ismail Qemali, kryetar i Qeverisë dhe ministër i Punëve të Jashtme.
Dom Nikoll Kacërri, Zv.Kryeministër
Mufid Bej Libohova, Ministër për Punët e Brendshme
Abdi bej Toptani, Ministër për Financat
Mehmet Pashë Deralla, Ministër për Luftën (Mbrojtjen)
Petro Poga, Ministër për Drejtësinë
Luigj Gurakuqi, Ministër për Arsimin
Mit’hat bej Frashëri, Ministër për Punët Botore
Pandeli Cale, Ministër për Bujqësinë
Lef Nosi, Ministër i Post-Telegrafit.