Maqedoni

Lloga kërkoi nga Këshilli Gjyqësor që ta lirojë Loreta Gjorgieva nga komisioni i raportuesve

Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga, kërkoi nga Këshilli Gjyqësor që ta lirojë Loreta Gjorgievën nga Komisioni i raportuesve, për shkak të konfliktit të interesit sipas kërkesave të parashtruara për përcaktimin e përgjegjësisë së gjyqtarit/kryetarit të gjykatës. Po ashtu ministri Lloga në shkresën e tij drejtuar Këshillit Gjyqësor thekson se, edhe përkundër udhëzimit paraprak për dorëzimin në kohë të materialeve, ato nuk i janë dorëzuar as para dhe as pas mbajtjes së seancës, e cila është mbajtur më 23 nëntor.

Ministria e Drejtësisë

“Është e palejueshme që Ministri i Drejtësisë të informohet për pikat e rendit të ditës nga mediat përmes të cilave jemi njoftuar për zgjedhjen e Loreta Gjorgievës për anëtare të Komisionit. Për shkak të konfliktit të interesave dhe faktit se Gjorgieva mbrojti publikisht gjyqtarin Lazar Nanev, i cili së fundi u lirua nga pozita e kryetarit dhe anëtarit të Këshillit të TIK-ut, Ministri i Drejtësisë kërkon që Këshilli Gjyqësor të lirojë Gjorgievën nga Komisioni i raportuesve sipas kërkesave të paraqitura për përcaktimin e përgjegjësisë së gjyqtarit/kryetarit”.

Nëse Gjorgieva nuk lirohet nga komisioni, shtojnë ata Këshilli Gjyqësor kryen një precedent të keq që do të zvogëlojë besimin edhe ashtu të ulët të qytetarëve në sistemin e gjyqësorit.

Më herët, Lloga kishte dorëzuar shkresë te Këshilli i gjykatësve edhe për hapjen e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë për punën e kryetarit të Gjykatës Themelore të Kavadarit, gjyqtarit Llazar Nanev, pas çka ai më pas u lirua nga funksioni i anëtarit të Këshillit për TIK dhe nga funksioni i kryetarit i këtij organi.