Kasami: Në vend që të përgjigjet për aferat korruptive, Merko lavdërohet nga Osmani
Në vend se të përgjigjet para organeve gjyqësore për aferat korruptive, Ramiz Merko lavdërohet nga Ministri i Jashtëm Bujar Osmani se i ka ofruar makinat luksoze për delegacionet që do të vijnë në Samitin e OSBE-së. Kjo sipas kreut të Lëvizjes Besa Bilall Kasami është skandaloze. Kasami vlerëson se BDI nuk është e gatshme të reformohet përkundrazi vazhdon t’i mbrojë personat e përfshirë në korrupsion, sikurse kreun e Strugës Merko.
“Me këtë që ministri i punëve të jashtme i bën reklamë kryetarit të Strugës se kinse ka bërë ndonjë punë të mirë që i ka dhënë në shërbim MPJ-së për organizimin e këtij manifestimi të rëndësishëm ndërkombëtar vetëm që vlerësojmë se tregon se edhe më tutje BDI dhe ministri i saj kanë komunikim të rregullt me kryetarin e Strugës dhe në vend që ata të distancohen dhe të kërkojnë nga organet e drejtësisë që të marrin masa për shkak se ai është në listën e zezë amerikane dhe është e mjaftueshme që organet e drejtësisë të veprojnë ata i bëjnë reklamë dhe tregojnë se ka bërë ndonjë punë të rëndësishme për shtetin, dhe kjo tregon edhe njëherë që BDI nuk është e gatshme për tu reformuar dhe për tu përballur me drejtësinë por ata vazhdojnë të keqpërdorin pozitat e tyre dhe vazhdojnë të mbrojnë njëri tjetrin duke shfrytëzuar pushtetin”, deklaroi Bilall Kasami – Kryetar i Komunës së Tetovës.
I pyetur përse komuna e Tetovës nuk ka ofruar vetura për këtë event të OSBE-së, Kasami tha së veturat që komuna i posedon i kanë gjetur të amortizuara dhe se për nevojat e komunës ai shfrytëzon veturën e partisë së tij.
“Komunën e kemi gjetur me një park të veturave të tej amortizuara dhe le që ata nuk janë për një samit të tillë, nuk janë as për shfrytëzim të komunës, e dinë opinioni që unë edhe për nevojat e komunës shfrytëzoj veturën që e kam të partisë, Lëvizjes Besa, por edhe njëherë them që pushteti qendror këtë veprim e ka bërë duke e ditur se cili është potenciali i komunave dhe për ti dhënë mundësi edhe njëherë të reklamohet Ramiz Merko për një eveniment kaq të rëndësishëm të shtetit“, tha Bilall Kasami – Kryetar i Komunës së Tetovës.
Për samitin e OSBE-së që do të mbahet në Shkup janë paraparë që 175 automjete të shfrytëzohen me qira dhe buxheti total është paraparë që të jetë mbi 900 mijë euro, por sipas ministrit Osmani mund të mos shfrytëzohen të gjitha mjetet e planifikuara.