Maqedoni

Një kompani private do ta pastrojë borën në Shkup për një milionë e 50 mijë euro

Qyteti i Shkupit ka lidhur marrëveshje me një kompani private për marrjen e automjeteve speciale për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve në territorin e qytetit të Shkupit. Tenderi me peshë gati 65 milionë denarë (rreth 1.050.000 euro) është përmbyllur dy ditë më pare. Tenderi është fituar nga kompania NEKSOS INXHINERING DOOEL eksport-import Shkup, si e vetmja e paraqitur në thirrjen publike.

Automjetet për pastrimin e dëborës do të vendosen në punkte të caktuara nga Ndërmarja Publike “Rrugë dhe Rrugica”- Shkup dhe do të kryejnë mirëmbajtje dimërore në rrugët me shërbim 24 orë.

Marrëveshja do të realizohet sipas çmimeve të ofruara nga kompania NEKSOS INXHINERING DOOEL eksport-import Shkup për angazhimin e një automjeti special treboshtopr ose katërboshtor, për angazhimin e automjetit special dy boshtor dhe për angazhimin e një ngarkuesi me kosh me kapacitet të paktën 2 metër kub.

Për angazhimin e automjeteve speciale për më shumë se 40 orë pune efektive në muaj, do të tarifohet me çmimin e ofruar për një orë pune efektive. Është paraparë që me këto mjete të mbulohen dy sezone dimërore.