Blinken dhe Lavrov vijnë në Shkup, Osmani nuk precizon nëse do të hanë darkë bashkë
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të vijë në Shkup për Samitin e 30-të Ministror të OSBE-së, i cili do të mbahet më 29 dhe 30 nëntor, tha sot ministri i Jashtëm Bujar Osmani. Osmani shtoi se të gjithë ministrat e jashtëm nga Evropa duhet të vijnë në samitin e OSBE-së. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, rreth pjesëmarjes së ministrit të jashtëm rus, Sergej llavrov, Osmani tha se më 28 nëntor pritet të fillojë ardhja e pjesëmarrësve të Këshillit të Ministrave, ndërsa më 29 nëntor, është caktuar darka jo formale me numrin më të madh të ministrave.
BUJAR OSMANI, MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME
“Ne presim Sekretarin e Shtetit Blinken për darkën joformale. Në cilën pjesë të tre ditëve do të jetë ministri i Jashtëm i Federatës Ruse, Sergej Lavrov, nuk mund të them tani. Nuk duhet të presim që në të tri ditët, të gjithë të qëndrojnë për tre ditë. Megjithatë, këta janë njerëz të rëndësishëm që do të vijnë në një pjesë të caktuar të ngjarjes dhe do të largohen. Nëse datat e qëndrimit të tyre do të përputhen, nuk mund ta them ende këtë, ne ende jemi duke i përcaktuar ato detaje. Të gjitha delegacionet do të vijnë, në pyetje ështe nëse do të jenë ministra apo zëvendës të tyre”.
Ministri i punëve të brendshme Oliver Spasovski tha se ministria e brendshme është duke u përgatitur për këtë ngjarje gjatë gjithë vitit. Ai tha se më shumë se 70 delegacione të huaja dhe mbi një mijë pjesëmarrës kanë njoftuar praninë e tyre në samit. Sipas Spasovskit, është një aksion i gjerë që duhet të zbatohet nga pikëpamja e sigurisë dhe të gjitha shërbimet janë plotësisht të përgatitura.
OLIVER SPASOVSKI, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME
“Pres që çdo gjë të shkojë mirë. Ky është një samit i rëndësishëm. Ne kemi një shans për të treguar kapacitete dhe vlera demokratike. Në fund të samitit, të gjitha vendet e botës duhet të na shohin me respekt. Mendoj se të gjithë duhet të jemi të nderuar. U bëj thirrje qytetarëve që të kenë durim gjatë samitit dhe të respektojnë urdhrat e punonjësve të policisë. Nuk do të ketë bllokadë të gjithë qytetit, por do të ketë bllokadë të disa rrugëve nëpër të cilat do të lëvizin delegacionet”.
Këshilli i tridhjetë Ministror i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë do të mbahet më 30 nëntor në sallën Boris Trajkovski në Shkup. Qeveria më 14 nëntor vendosi që 30 nëntori të jetë ditë jopune për të gjithë të punësuarit në administratën shtetërore dhe publike, në rajonin e qytetit të Shkupit, si dhe për shkollat fillore dhe të mesme të zones së qytetit të Shkupit, për shkak të mbajtjes së takimit të OSBE-së.