Më 1 dhjetor, gjykata penale do ta publikojë vendimin gjyqësor për Muhamed Zekirin
Më 1 dhjetor, Gjykata Penale do ta publikojnë vendimin gjyqësor për ish sekretarin e Qeverisë Muhamet Zekiri. Ndërkaq, sot në fjalët përfundimtare të këtij rasti, i akuzuari Zekiri me zë të ngjirur e me lot në sy, kërkoi nga gjykata të vendos për lirimin e tij, me qëllim që siç u shpreh t’i jepet fund agonisë dhe vuajtjeve të tij dhe të familjes së tij, të cilët shtoi se për 593 ditë jetojnë jetë nën hije të rëndë, si dëm kolateral i këtij procesi të aktakuzës.
Muhamet Zekiri, ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë
“Në fillim të vitit, papritmas ndërroi jetë vëllai im më i ri, i cili prapa tij la 3 fëmijë të mitur, ndërsa më pas bashkëshortes time, ashtu siç është dokumentuar në gjykatë, u diagnostikua me sëmundje të rëndë. Mjekimi i saj zgjat tashmë 9 muaj, ende nuk ka përfunduar dhe nuk e dimë se si do të përfundojë. 593 ditë pasi jam stigmatizuar në opinion, nuk kam pasur mundësi të realizoj të ardhura për kujdes dhe ndihmë ndaj 4 fëmijëve”.
Pala mbrojtëse tha se Prokuroria Publike nuk ka dorëzuar prova të mjaftueshme që të vërtetoj se i akuzuari Zekiri me vetëdije i ka kryer aktivitetet për të cilat akuzohet.
Vlladimir Andreevski, avokat i Zekirit
“Zekiri në formë të shkruar ka vërtetuar se nga burojnë mjetet e bashkëshortes së tij dhe se ato janë nga prindërit e saj, të cilat janë të paraqitura në mënyrë të rregullt, kërkesa e prokurorisë për konfiskimin e mjeteve është e paligjshme, por edhe jonjerëzore, për shkak të gjendjes në të cilën është ai”.
Në anën tjetër, prokurorja e lëndës Katerina Kollareviq u shpreh se i dyshuari Muhamet Zekiri pa hapur tender publik, në mënyrë të drejtëpërdrejtë ka bërë marrëveshje me subjekte juridike, të cilët kanë punuar nën rrethana të dyshimta.
Katerina Kollareviq, prokurore
“Ka pasur fatura me vlerë të përgjithshme 57.932.100 denarë, të cilat në mënyrë të plotë janë paguar nga ana e Qeverisë. Sekretariati i Përgjithshëm ka nënshkruar një marrëveshje të lidhur ngushtë me të akuzuarin Muhamet Zekiri. I akuzuari e ka dëmtuar shtetin. Gjykata të kryej procedurë për konfiskim të pasurisë dhe të parave të bashkëshortes së tij, të gjetura në sirtar tek ajo”.
Zekiri akuzohet se në periudhën prill 2021 deri në janar 2022 në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, pa hapur tender për prokurim, ka bërë marrëveshje për shërbime konsultative në vlerë prej pothuajse 1 million euro, gjegjësisht ishin paguar 147.000 euro më shumë se nga marrëveshja paraprake.