Pendarovski: Unifikimi i alfabetit, një nga shtyllat e identitetit të shqiptarëve
Unifikimi i alfabetit të gjuhës shqipe para 115 vjetësh, pikërisht në Manastir, si hap kyç për kodifikimin e gjuhës shqipe, është pa dyshim një nga shtyllat më të rëndësishme të identitetit kulturor dhe shpirtëror të shqiptarëve. Ky ishte urimi i presidentit të vendit, Stevo Pendarovski, për ditën e 22 Nëntorit, Dita e Alfabetit Shqip, i cili u shpreh se janë krenarë që popullsia shqiptare është pjesë e Maqedonisë së Veriut.
Stevo Pendarovski
“Frutat e këtij akti krucial politik dhe kulturor i gëzojnë të githë shqiptarët kudo që janë. Ne jemi krenarë që sot bashkësia shqiptare është pjesë e pandashme e Republikës shumëetnike dhe shumëkultorore se Maqedonisë së Veriut”
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhafer dërgoi urim me rastin e 22 Nëntorit, i cili tha se alfabeti është vegla më e fuqishme e një populli.
Talat Xhafer
“Ne, si politikanë përgjegjës, kemi obligim të ruajmë dhe të përsosim atë amanet në çdo hap, me çdo vepër dhe me çdo nismë që e ndërmarrim ndërsa gjeneratat e reja duhet ta dinë vlerën e sakrificës që është bërë për të arritur për të qenë në rrafshin e popujve të etabluar botërorë me identitet të fortë dhe të pa kontestuar. Gjuha është vegël e fuqishme e cila na bashkon ndër vete”
Fronti opozitar shqiptar në Ditën e Alfabetit, kritikoi partitë maqedonase, ndërsa thonë se ndryshimet kushtetuese nuk kanë kuptim përderisa egziston termi ofendues “20 përqind” fyes për gjuhën shqipe.
Lidhja Evropiane për Ndryshim
“Ne deklarojmë se për Lidhjen Europiane për Ndryshim, ndryshimet kushtetuese nuk kanë kurrfarë kuptimi nëse ato nuk e përfshijnë edhe heqjen e emërtimit ofendues e fyes për gjuhën shqipe”
Edhe Alenaca për Shqiptarët uroi ditën e Alfabetit.
Aleanca për Shqiptarët
“Ta shkruajmë e ta ruajmë gjuhën tonë të bukur, ashtu siç na mësuan rilindasit, arkitektët e së ardhmes, të cilën po e jetojmë ne sot”
Partia maqedonase VMRO-DPMNE uroi shqiptarët për 22 Nëntorin,
VMRO-DPMNE
“Sot, 115 vjet më parë, në Manastir, që atëherë ishte selia e Vilajetit të Manastirit të Perandorisë Osmane, që përfshinte territoret e Shqipërisë së sotme lindore, gjuha shqipe u njësua për herë të parë në bazë të dialektit të saj elbasanas, që është bërë nga shkrimtarë dhe studiues me të cilët krenohen shqiptarët dhe sot”
Kongresi i njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe, i mbajtur në Manastir, në vitin 1908, është një nga ngjarjet më domethënëse në historinë e kulturës dhe të popullit shqiptar në tërësi, dhe që nga viti 2007, sipas ligjit në ditët e festave në Republikën e Maqedonisë, 22 Nëntori festohet si festë kombëtare – Dita e Alfabetit të shqipes.