LEN: Dita e Alfabetit është detyrim për ta mbrojtur gjuhën shqipe
Në këtë ditë të madhe të kombit tonë, sot kur kremtohet alfabeti i gjuhës shqipe, ne – Lidhja e Europiane për Ndryshim – përfitojmë nga rasti që të gjithë shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, por jo vetëm, t’ua urojmë këtë festë dhe t’u dëshirojë që angazhimi i tyre jetësor të prihet pikërisht nga mënyra se si rilindësit tanë e përcaktuan abc-në tonë, me të cilën e ndërtuam gjuhën dhe, në përgjithësi, kombin tonë.
E kur jemi këtu, nuk mund të mos theksojmë se sot është dita kur ne tëgjithë duhet të flasim më shumë se kurrë për gjuhën tonë të bukur shqipe, e cila deri në ardhjen e saj në gjendjen e sotme, ka kaluar nëpër shumë penda, për të derdhur është shumë mund, shumë djersë, por edhe shumë gjak. Prandaj edhe kujdesi për gjuhën nuk është vetëm kujdes për një mjet komunikimi, por më shumë se kaq është kujdes për të kaluarën, për të sotmen dhe për të ardhmen tonë.
Rrjedhimisht, të prirë nga ky çast dhe nga rëndësia e momentit, duke reflektuar për Ditën e Alfabetit, dëshirojmë të vëmë re se mbrojtja dhe kultivimi i gjuhës është ndër detyrimet më të larta kombëtare. Andaj të gjithë ata që sot pohojnë se ka diçka tjetër më të rëndësishme se emërtimi i drejtë i gjuhës sonë në kushtetutë, përveçse janë mazohistë e oportunistë, janë edhe kundër gjuhës shqipe dhe kundër kombit shqiptar.
Ta shpallësh veten të parëndësishëm duke i dhënë rëndësi dikujt tjetër, kjo nuk është vetëmohim, por është mosrespektim i vetes dhe i identitet tënd. Nëse bashkëkombësit tanë maqedonas janë kaq të ndjeshëm për elementet e identitetit të tyre etnik dhe ne kemi mirëkuptim dhe empati për ta, është e çuditshme se si disa shqipfolës flasin me përçmim për gjuhën amtare shqipe. Përveç kësaj, ne akoma nuk e kuptojmë se pse edhe partitë politike maqedonase dhe klasa intelektuale maqedonase nuk gjen fuqi të deklarohet për gjuhën shqipe njësoj siç kemi ne qëndrim mbështetës për gjuhën maqedonase dhe për tiparet etnike të identitetit maqedonas.
Sidoqoftë, me këtë rast – duke qenë në këtë ditë feste – ne deklarojmë se për Lidhjen Europiane për Ndryshim ndryshimet kushtetuese nuk kanë kurrfarë kuptimi nëse ato nuk e përfshijnë edhe heqjen e emërtimit ofendues e fyes për gjuhën shqipe. Sepse, nuk mund të bëhemi europianë duke e mohuar veten tonë, aq më shumë që pranimi i diversitetit gjuhësor është në themelet e vlerave europiane.
Pavarësisht kësaj, Lidhja e Europiane për Ndryshim do të vazhdojë të kujdeset për gjuhën shqipe njësoj si për integrimin në BE, njësoj si për luftën kundër korrupsionit dhe njësoj siç angazhohet për mirëqenien e të gjithë qytetarëve në vendin tonë” – thuhet në kumtesën e Lidhjes Europiane për Ndryshim.