Senati i UT-së ka dërguar propozim që Shqipëria dhe Kosova ta shpallin 22 Nëntorin festë shtetërore
Shkruan: Vullnet Ameti
Në data të veçanta gjej shkas për analiza depërtuese që të nxjerr në dritë jo vetëm atë që ndodhi, por edhe atë që është bërë e ç’po bëhet në vazhdimësi. Edhe pse jam ithtar i idesë se historia nuk interpretohet duke u bazuar në nostalgji romantike, kjo trajtesë meriton një ngjyrim të tillë.
Kongresi i Manastirit, apo takimi i dijetarëve shqiptarë, është si udhërrëfyes dhe frymëzim për brezat që pasojnë në përpjekjet dhe luftën e përhershme në mbrojtje të identitetit kombëtar. Universiteti i Tetovës, që nga themelimi e deri sot, ka marrë mbi vete përgjegjësi të mëdha. Sa më e egër ishte furtuna, aq më e lartë ka qenë heshtja zhurmuese dhe vepra. Kështu e kemi manifestuar forcën tonë morale dhe ndërgjegjen kombëtare.
22 Nëntori është një nga datat emblematike dhe rrezatuese në identitetin dhe orientimin tonë kombëtar. Ndonjëherë, për t’i kuptuar gjërat, duhet t’ua japim ngjarjeve atë që gjermanët e quajnë ZEITGEIST (frymën e kohës).
Për kombin dhe gjuhën punuan shumë atdhetarë dhe një plejadë e madhe veprimtarësh, por ajo që ka munguar ndër shekuj ishte uniteti, një vlerë që i ka kushtuar dhe vazhdon t’i kushtojë shumë kombit tonë edhe sot.
22 Nëntori është me vlerë të veçantë, sepse para së gjithash, ndikoi fuqimisht në ndërgjegjësimin kombëtar dhe e shpreh mesazhin unifikues. Vendimet e marra në këtë datë nga patriotët më të shquar shqiptarë, e orientuan kombin tonë në drejtimin e duhur, aty ku e ka vendin, pra përkrah kombeve të qytetëruara.
Më 22. XI. 1908, në Manastir, u mblodhën 150 delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë dhe nga të gjitha përkatësitë fetare: myslimanë, katolikë, ortodoksë e protestantë, të cilët vendosën për një alfabet të përbashkët. Katër vjet më vonë, në të vërtetë, kjo lëvizje u bë pararendëse e pavarësisë së Shqipërisë.
Në Universitetin e Tetovës, kjo datë dhe sidomos shtëpia e Kongresit të Manastirit, proklamohen dhe promovohen çdo ditë, sepse DIPLOMA, që i ndahet çdo studenti të Universitetit të Tetovës pas mbarimit të studimeve, e ka në sfond shtëpinë e Alfabetit, për t’ua kujtuar atyre se rruga deri të shkronjat shqipe nuk ka qenë e lehtë dhe se deri te kjo arritje jetike erdhi si rezultat i një përpjekjeje të madhe mbarëkombëtare dhe është një paradigmë morale që në plotëninë e saj e shpreh forcën epike të 150 dijetarëve që i dhanë shumë këtij kombi.
Krahas botimeve akademike, Universiteti ynë u ka kushtuar vëmendje të veçantë edhe edicioneve speciale, sepse gjithmonë kemi konsideruar që dashuria për heronjtë dhe bëmat e tyre lind natyrshëm dhe, sado që t’u largohemi, busulla e brendshme na rikthen përsëri tek ata, prandaj nuk është i rastësishëm botimi edicioneve speciale të revistave shkencore që në thelb i kanë trajtuar figurat dhe ngjarjet historike të cilat e kanë shënjuar ecurinë e kombit tonë, ndër to është edhe REVISTA FILOLOGJIA “Kongresi i Manastirit” nën përkujdesjen e Institutit të Gjuhës, Kulturës dhe Qytetërimit Shqiptar “JOSIF BAGERI” në Universitetin e Tetovës, që është botuar në vitin 2022 dhe kryesisht i trajton temat nga gjuhësia. https://drive.google.com/file/d/1KvKCDpCtyd0e8CtxtbrfO-rF1Jzg5f3J/view
Senati i Universitetit të Tetovës, në mbledhjen e mbajtur më 27 shkurt 2014 (propozimi i parë) dhe 27 shkurt të vitit 2023 (propozimi i dytë) e ka miratuar njëzëri PROPOZIMIN që 22 Nëntori – Dita e Alfabetit Shqip të shpallet festë shtetërore në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës.
Universiteti i Tetovës, përmes një kërkese zyrtare, u është drejtuar institucioneve të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të Republikës së Shqipërisë (Presidencave, Kuvendeve, Qeverive, Akademive të Shkencave dhe Arteve, si dhe ambasadave të shteteve përkatëse), që kjo datë me rëndësi kombëtare të zyrtarizohet si festë shtetërore në këto dy shtete.
Në kërkesë thuhet: “Duke marrë parasysh rëndësinë kombëtare të Ditës së Alfabetit Shqip, kur në një periudhë të vështirë historike, në qytetin e Manastirit, në vitin 1908, u tubuan atdhetarë më eminentë të çështjes kombëtare nga të gjitha trojet etnike; për faktin e pamohueshëm se Kongresi i Manastirit është monumenti më i madh kombëtar për të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen, kongres në të cilin u vunë bazat e shkrimit shqip; se ndryshoi qasja dhe perceptimi për rëndësinë e çështjes kombëtare; për rolin e tij në ruajtjen e identitetit shqiptar, pikërisht falë shkrimit të njësuar shqip; Senati i Universitetit të Tetovës ka miratuar njëzëri PROPOZIMIN që 22 Nëntori – Dita e Alfabetit Shqip të shpallet festë shtetërore edhe në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës”.
Gjithashtu në vitin 2022, në prag të festave të nëntorit, shpalosëm emërtimet e amfiteatrove kryesore me emrat e figurave emblematike që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë kombëtare. Tre amfiteatrot e Universitetit tonë sot bartin emrat: Abdylselam Emini – dëshmori i arsimit shqip, Rafi Halili – veprimtari i çështjes kombëtare, si dhe jo rastësisht edhe emërtimi i amfiteatrit kyç të Universitetit të Tetovës me emrin “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi” – dy mësueset e para të gjuhës shqipe nga Manastiri.
Familja Qiriazi dha një kontribut të madh, sidomos Sevastia dhe Parashqevia, si gratë më të shquara të Rilindjes sonë, të cilat, përveç se veprimtare, ishin edhe mësueset e popullit, pjesëmarrëse aktive në Kongresin e Alfabetit, bashkëpunëtore besnike të Ismail Qemalit, themeluese të shoqatës së parë të grave shqiptare, autore të programit arsimor të qeverisë së Ismail Qemalit dhe, diçka që kuptova së fundmi, Parashqevia ishte e vetmja delegate grua nga të gjitha vendet pjesëmarrëse, e cila mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris.
Këto të dhëna i gjeta në “The Chicago Tribune” të 19 shtatorit 1919, në faqen numër 3, gjegjësisht rrëfimin e Parashqevi Qiriazit, të cilin e gjeni në këtë link dhe inkurajoj çdo bashkëkombas që ta lexojë: https://www.darsiani.com/la-gazette/the-chicago-tribune-1919-konferenca-e-paqes-ne-paris-rrefimi-i-parashqevi-qiriazit-mbi-mizorite-e-grekeve-ne-korce-dhe-zonen-perreth/ Parshqevi dhe Sevasti paraqesin zërin më përfaqësues të gruas shqiptare.
Ato lirshëm mund të konsiderohen edhe si themeluese të diplomacisë shqiptare, sidomos me pjesëmarrjen në Konferencën e Paqes në Paris (1919/20), ku u shpreh fuqia dhe përpjekjet intelektuale në arritjen e qëllimeve të rilindësve tanë, gjegjësisht nëpërmjet mendjes së ndritur të Parashqevisë, si bartëse e kauzës, u përçuan idetë dhe ëndërrat e tyre jashtë kufijve të Shqipërisë, në sallonet diplomatike, aty ku gatuhej strategjia shekullore e orientimit të kombeve.
Diploma, konferenca, revista shkencore kushtuar Kongresit të Manastirit, emërtimi i amfiteatrit “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi”, propozimi i Senatit të Universitetit të Tetovës që 22 Nëntori – Dita e Alfabetit të shpallet festë shtetërore në Shqipëri dhe në Kosovë, si dhe pllakata simbolike e cila u jepet figurave të shquara të kombit, në të cilën është e gravuar shtëpia e Alfabetit, e përsosin mozaikun dhe e ngjallin frymën idealiste në tempullin tonë, sepse e kam kuptuar me kohë që KRENARIA gjithmonë lidhet me DETYRIMIN, prandaj kjo ishte më e pakta që mund të bënim për këtë datë historike.
Të gjitha këto kanë një emërues të përbashkët, gjatë gjithë rrugëtimit tim intelektual jam kujdesur që Kongresi i Manastirit dhe emrat që lidhen me këtë ngjarje ta kenë vendin e merituar në historikun e tempullit të dijes. Nëpërmjet angazhimeve të lartpërmendura jam munduar në vazhdimësi të lajë borxhin moral karshi pishtarëve të gjuhës dhe arsimit.
Në vazhdën e këtij rrëfimi shpesh më kujtohen pyetjet e Rexhep Qosjes te vepra e tij, Historia e letërsisë shqipe, Romantizmi 2, Vëllimi i gjashtë, f. 15, ku pyet: “Cili komb mbiu menjëherë i madh, i fortë, i ditur, i lavdishëm?” – pyetje përmes së cilës mëton të tregojë që për kombin duhet punuar gjithmonë PARESHTUR, PALODHSHËM, PA U TREMBUR dhe të UNIFIKUAR NË NJË VEKTOR ORIENTIMI.
I prirë nga DËSHIRA e zjarrtë dhe VULLNETI i flaktë për ta zgjuar ndërgjegjen kombëtare, po e përfundoj këtë shkrim me vargjet e kolosit të shquar Naim Frashërit:
Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmbël sa e gjerë
Sa e lehtë sa e lirë!
Sa e bukur sa e vlerë!
Prof. Dr. Vullnet Ameti