Rajon - Botë

Hamasi: Në 72 orët e fundit kemi shkatërruar 60 automjete ushtarake izraelite në Gaza

Krahu ushtarak i Hamasit të hënën deklaroi se luftëtarët e tij kanë shkatërruar 60 automjete ushtarake izraelite në Gaza gjatë 72 orëve të fundit, raporton Anadolu.

Në një mesazh të regjistruar, Abu Ubeida, zëdhënësi i Brigadave Al-Qassam, deklaroi se në mesin e automjeteve ushtarake izraelite që ishin në shënjestër, në sulmet gjatë tre ditëve të fundit, u përfshinë dhjetë transportues trupash.

Ai gjithashtu vuri në dukje se janë duke u zhvilluar “përplasje të ashpra” me forcat izraelite në disa zona në të gjithë Rripin e Gazës.

“Dyshojmë se armiku (ushtria izraelite) bombardoi trupat e saj duke besuar se një numër i ushtarëve të saj u kapën në një operacion që kishim kryer kundër një automjeti transportues të trupave në qytetin e Gazës”, tha Ubeida.

Të paktën 68 ushtarë izraelitë janë vrarë që nga fillimi i operacionit tokësor izraelit në Gaza më 27 tetor, sipas mediave izraelite.

Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës, duke përfshirë spitalet, rezidencat dhe shtëpitë e adhurimit, që nga sulmi ndërkufitar nga grupi i rezistencës palestineze Hamas më 7 tetor.

Të paktën 13.300 palestinezë janë vrarë, duke përfshirë 5.650 fëmijë dhe 3.550 gra.

Sipas shifrave zyrtare, numri i izraelitëve të vdekurve është gati 1.200.