ASH reagon kundër opozitës për anëtarin e KSHZ-së
Nga Aleanca për Shqiptarët e kanë cilësuar si të pabazë kërkesën e Lëvizjes Europiane për Ndryshim për anëtar në Komisionin Shtetëror Zgjedhor. Nga kjo parti thonë se asnjë parti prej LEN-it, respektivisht Lëvizja Besa, Lëviza Demokratike dhe Alternativa, nuk ka garuar e vetme në zgjedhje.
“Kujtojmë opinionin se aktualisht nuk po zgjidhet përbërje e re e KSHZ-së, por vetëm zëvendësohet anëtari i nominuar nga Aleanca për Shqiptarët, në përputhje me ligjin dhe zgjedhjet e fundit parlamentare. Njëkohësisht rikujtohmë tre subjektet që sot janë në opozitë, se asnjëri prej tyre nuk ka garuar vetë në zgjedhje dhe nuk i ka fituar mandatet nga lista e tyre, por dy kanë qenë pjesë e koalicioneve dhe njëra pjesë e BDI-së. Përveç kësaj zgjedhjet parlamentare nuk janë caktuar dhe ndryshimi i përbërjes së forcave politike në KSHZ mund të bëhet vetëm me një marrëveshje mes katër partive më të mëdha dhe me ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Deri atëherë përbërja mbetet e njëjtë dhe vetëm zëvendësohet anëtari i nominuar nga ASH”, thuhet mes tjerash në reagimin e ASH-së.