Rajon - Botë

Arabia Saudite planifikon të mbjellë 10 miliardë pemë në shkretëtirë!

Arabia Saudite synon të mbjellë 10 miliardë pemë si pjesë e një fushate ambicioze të nisur nga Princi Mohammed bin Salman.

Princi saudit thotë se lëvizja është një përpjekje për të ulur emetimet e karbonit, duke luftuar kështu ndotjen dhe degradimin e tokës gjatë dekadave të ardhshme.

Salman, shtoi se Arabia Saudite synon të zvogëlojë emetimet e tij të karbonit duke gjeneruar 50 përqind të energjisë së vendit nga burimet e rinovueshme deri në vitin 2030, shkruan The Sun, përcjell klankosova.tv.

Ai tha se do të punojë edhe me shtetet e tjera arabe në një “Nismë të Gjelbër të Lindjes së Mesme” për të mbjellë 40 miliardë pemë shtesë, duke shtuar se ky do të ishte programi më i madh i ripyllëzimit të planetit.

“Mbretëria, rajoni dhe bota duhet të shkojnë shumë më tej dhe më shpejt në luftimin e ndryshimit të klimës”, tha Salman.

Që kur u emërua princ, nga babai i tij në vitin 2017, Salman ka nisur një mision të guximshëm për të modernizuar me shpejtësi Arabinë Saudite e cila ka kohë që drejtohet nga ligji i rreptë fetar ndërsa ekonomia e saj është mbështetur shumë në prodhimin e naftës.

Sundimtari 35-vjeçar po ndërton një qytet gjigant i quajtur “Neom”, për të tërhequr vizitorë të huaj dhe punëtorë të aftë në mbretëri.

Ky qytet pritet të kushtojë 350 miliardë funta, dhe gjithashtu pritet të jetë 33 herë më i madh se Nju Jorku. Salman tha se qyteti, i referuar si “Neom”, do të drejtohet 100 përqind me energji të rinovueshme.