Kosovë

Hoti: Rikthimi i LDK-së, i domosdoshëm për shtetin e Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës sot mban Kuvendin e dhjetë Zgjedhor. E lidhur me këtë ngjarje është deklaruar edhe deputeti i kësaj partie, Avdullah Hoti.

Hoti në një postim në Facebook ka shkruar se vizioni i LDK-së mbetet i palëkundur për një Kosovë demokratike dhe të zhvilluar e të integruar në BE dhe NATO.

“Vitet kanë ndryshuar, kanë ndryshuar edhe nevojat e qytetarëve dhe sfidat e shoqërisë, por vizioni i LDK-së mbetet i palëkundur — një Kosovë demokratike dhe e zhvilluar, e integruar në BE dhe NATO, e në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Hoti..

Ai ka shtuar se rikthimi i LDK-së është i domosdoshëm për shtetin e Kosovës.

Postimi i plotë:

Sot mbajmë Kuvendin e X Zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të partisë themeltare të shtetit të Kosovës, të partisë që e themeloi dhe e udhëhoqi për shumë vite ati i shtetit të Kosovës, Presidenti Rugova.
Urime Kuvendi i X anëtarëve dhe mbështetësve. Urime në veçanti atyre që nuk iu ndanë misionit të LDK-së për më shumë se tri dekada.

Vitet kanë ndryshuar, kanë ndryshuar edhe nevojat e qytetarëve dhe sfidat e shoqërisë, por vizioni i LDK-së mbetet i palëkundur — një Kosovë demokratike dhe e zhvilluar, e integruar në BE dhe NATO, e në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gra e burra vizionarë e trasuan këtë rrugë në vitet më kritike për gjithë Evropën, kur komunizmi ishte në frymën e fundit, kur shtetet artificiale po shpërbëheshin, dhe kur konfliktet apo luftrat e hapura shkaktonin mijëra viktime gjithandej.

Kjo ditë është festë në LDK. Rikthimi i LDK-së është i domosdoshëm për shtetin e Kosovës, është i nevojshëm për të mos devijuar nga vizioni i atit të shtetit të Kosovës.