Rajon - Botë

Ministri izraelit: Migrimi vullnetar i banorëve të Gazës është “zgjidhja e duhur”

Ushtria izraelite kreu sulme intensive ajrore gjatë natës në Rripin e Gazës. 10 persona, kryesisht fëmijë u vranë në sulmin që avionët luftarakë izraelitë kryen ndaj shtëpive të familjeve në lindje të Khan Younis. Situata në Spitalin Al-Shifa në pjesën perëndimore të Gazës është “më sfiduese se vetë vdekja, ku nuk është në dispozicion as minimumi më i vogël për të mbajtur jetën”, tha një i zhvendosur nga Gaza dhe i strehuar në spital.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se “nga 36 spitale 22 prej tyre kanë mbetur jashtë shërbimit për shkak të mungesës së karburantit, sulmeve dhe mjedisit jo të sigurt”.

Egjipti njoftoi se pika kufitare Rafah e hapur për Rripin e Gazës nuk është mbyllur, por Izraeli pengon hyrjen e ndihmave.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme egjiptiane, Ahmed Abu Zeid deklaroi se Pika kufitare Rafah nuk është mbyllur asnjëherë që nga fillimi i krizës në Rripin e Gazës. “Ata që pengojnë hyrjen e ndihmave në Rripin e Gazës me kushte penguese dhe arsye të pabaza është pala izraelite”, tha Abu Zeid.

Ndërkohë, ministri i Financave i Izraelit pretendoi se migrimi në mënyrë vullnetar i palestinezëve nga Gaza në vende të tjera është “zgjidhja e duhur humanitare”.

Ministri izraelit i linjës së ashpër pretendoi se “shumica e banorëve të Gazës janë brezi i katërt dhe i pestë i refugjatëve të viteve 1948-ta. ”Këta persona mbahen ‘peng’ në varfëri dhe mbipopullim në Gaza dhe janë simbol i dëshirës për të rrëzuar shtetin e Izraelit dhe për të kthyer refugjatët në qytete si Jaffa dhe Haifa” duke shtuar se “kjo është arsyeja e urrejtjes së fortë me të cilën janë rritur dhe mësuar banorët e Gazës kundër shtetit të Izraelit dhe hebrenjve”.