ASHMAA: Liria e shprehjes mund të kufizohet vetëm në raste të caktuara
Liria e shprehjes është kategori e garantuar me Kushtetutë dhe si e tillë është e pacenueshme. Kështu reagoi Agjencia e Shërbimeve Audio dhe Audiovizuele, ndaj vendimit gjyqësor kundër IRL-së. ASHAM në reagimin e saj thotë se liria e shprehjes mund të kufizohet vetëm në raste të caktuara, thotë se saktë janë të përcaktuara këto kategori, kur rrezikohet siguria dhe qetësia publike si dhe shëndeti publik.
ASHMAA
“Qytetarët kanë të drejtë të jenë të informuar në mënyrë objektive, saktë dhe në kohë për të gjitha çështjet që janë të një rëndësie të madhe dhe që kanë të bëjnë me interesin publik dhe realizimi i kësaj të drejte duhet të nxitet dhe inkurajohet nga të gjithë pjesëtarët e shoqërisë”.
Sipas Agjencisë, publikimi i përmbajtjeve editoriale, në të cilat nuk shkelen standardet profesionale dhe gazetareske, të cilat përmbajtje janë emituar edhe në servisin publik, janë në drejtim të realizimit të lirisë së shprehjes dhe lirisë së informimit dhe ruajtjen e interesit të qytetarëve.
Edhe zëvendëskryeministrja për politikë dhe qeverisje të mirë Sllavica Gërkovska përmes facebook-ut, shkroi se liria e shprehjes, interesi publik dhe liria e mediave janë prioriteti kryesor për një shoqëri. Këto sipas saj, nuk guxojnë të rrezikohen, dhe as të ndalohen në çfarëdolloj mënyre.
Kurse presidenti i shtetit Stevo Pendarovski të shtunën tha se liria e mediave është e lidhur direkt me nivelin e demokracisë së një shteti dhe me mbrojtjen e interesit publik, kurse gazetaria është profesion i lirë dhe i pavarur dhe si e tillë duhet të vetërregullohet.
Reagime të shumta pati edhe nga gazetarë por edhe organizatat e gazetarëve dhe punonjësve mediatik. Përndryshe, të premten gjykatësja Jovanka Spirovska Paneva, në arsyetimin e vendimit pro biznesmenit dhe ish politikanit Koço Angjushev tha se e drejta private ka përparsi para lirisë së shprehjes. Po ashtu për redaksinë e IRL-së tha se nuk janë medium, por edhe se mund të ndërpritet veprimtaria e tyre e punës.