Shkupi humb nga Sileksi në Kratovë
Shkupi ka humbur duelin me Sileksin në Kratovë, duke u mundur me rezultat 2:1 në ndeshjen e vlefshme të xhiros së 14-t në Ligën e Parë të futbollit në Maqedoninë e Veriut. Skuadra nga Çairi zhbllokoi shifrat e para në këtë takim, duke realizuar me Trapanovskin, mirëpo Sileksi përmbysi gjithçka që në pjesën e parë me golat e Nikoliqit dhe Kalanoskit. Në pjesën e dytë, shifrat nuk ndryshuan, me Sileksin që doli me fitore nga kjo përballje. Ndërkohë në ndeshjen tjetër të kësaj dite, Rabotniçki mori fitore përballë Makedonija Gjorçe Petrovit, falë golit të vetëm të shënuar nga Gando. Me përfundimin e këtyre dy ndeshjeve, mbyllet edhe xhiroja e 14-t në elitë, ndërsa kampionati shkon në pauzë për shkak ndeshjeve ndërkombëtare të ekipeve përfaqësuese.