Kolomina: Maqedonia e Veriut ka një rol stabilizues, si në planin dypalësh ashtu edhe në atë shumëpalësh
Situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe nevoja e veprimit të sinkronizuar të NATO-s dhe BE-së në hapësirat tona, me qëllim të përshpejtimit të proceseve të integrimit euroatlantik, ishin në fokus të takimit të ministrit të jashtëm Bujar Osmani me Zëvendësndihmësin Sekretar të NATO-s për Çështje Politike dhe Politikë të Sigurisë, Havier Kolomina. Ata vlefrësuan se përshpejtimi i proceseve integruese është kyç për forcimin e stabilitetit rajonal dhe njëherazi do të parandalojë veprimet e vendeve të treta në rajonin tonë.
BUJAR OSMANI, MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME
“E theksova edhe rolin e Maqedonisë së Veriut si kryesues aktual i SHBA-Karta e Adriatikut, ose e njohur si A5, në drejtim të inkurajimit të integrimit euroatlantik të vendeve të rajonit dhe ruajtjes së sigurisë rajonale. Ne, si kryesues, në koordinim të ngushtë me vendet anëtare, vendosëm bazën për krijimin e një Koncepti të ri Strategjik të A5, qëllimi kryesor i të cilit është forcimi i bashkëpunimit të vendeve të Kartës që janë anëtare të NATO-s, dhe ofruam mundësi për angazhim më të madh dhe afrim me vlerat e Aleancës së vendeve nga A5 që nuk janë anëtare të NATO-s”.
Zëvendësndihmës Sekretari I Përgjithshëm i NATO-s deklaroi se Maqedonia e Veriut që nga anëtarësimi i saj në NATO, konfirmon përkushtimin e saj për respektimin e vlerave të promovuara dhe të përfaqësuara nga Aleanca. Kolomina theksoi se Maqedonia e Veriut ka dëshmuar gatishmërinë e saj në kuadër të bashkësisë ndërkombëtare për të vazhduar punën për vendosjen e stabilitetit aty ku është e nevojshme.
HAVIER KOLOMINA, ZËVENDËSNDIHMËS SEKRETAR I PËRGJITHSHËM I NATO-S PËR ÇËSHTJE POLITIKE DHE POLITIKË TË SIGURISË
“Ruajtja e stabilitetit të rajonit është me rëndësi strategjike. Për këtë do të flasim në takimin e MPJ-së të planifikuar për në fund të nëntorit. Aty do të theksoj edhe një herë se Maqedonia e Veriut ka rol stabilizues si në planin multilateral ashtu edhe në atë bilateral”.
Sa i përket anëtarësimit trevjeçar të Maqedonisë së Veriut në NATO, Osmani tha se gjatë asaj periudhe vendi dëshmoi se është një aleat i besueshëm dhe i përgjegjshëm që synon promovimin e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare.