Publikohet shpallja për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të KSHPK-së, të vjetrit pa të drejtë rizgjedhje
Është publikuar shpallja publike për zgjedhjen e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) dhe sipas vendimit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, anëtarët aktual të KSHPK-së nuk kanë të drejtë rizgjedhje.
Sipas kushteve në konkurs, personat që në çfarëdo mandati kanë mbajtur postin e kryetarit të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, ose kanë qenë anëtarë të KSHPK-së, pavarësisht kohëzgjatjes së mandatit, nuk mund të zgjidhen as për kryetar ose anëtar të Komisionit Shtetëror.
Secili kandidat për kryetar duhet të ketë të paktën dhjetë vjet përvojë pune pas përfundimit të arsimit të lartë, prej të cilave më së paku tetë vite përvojë pune në fushat e zbulimit apo parandalimit të korrupsionit, sundimit të ligjit apo qeverisjes së mirë, ndërsa për anëtar të KSHPK-së, përveç dhjetë vitesh përvojë pune, mjaftojnë gjashtë vjet përvojë pune në fushat e zbulimit apo parandalimit të korrupsionit.
Në bazë të Ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, njëkohësisht shpalli Thirrje deri te Shoqatat e gazetarëve, Shoqatat e tjera dhe fondacione për pjesëmarrje në intervistimin e kandidatëve të cilët plotësojnë kushtet për emërimin e kryetarit apo anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
Të gjitha Shoqatat e gazetarëve që janë themeluar konform ligjit, përkatësisht të regjistruara për më shumë se pesë vjet dhe çdo Shoqatë apo fondacion i regjistruar në përputhje me ligjin dhe me të paktën pesë vjet përvojë në fushën e parandalimit të korrupsionit, sundimin e ligjit ose qeverisje e mirë kanë të drejtë të paraqiten në konkursin dhe të marrin pjesë në intervistë.
Thirrje për nominimin e përfaqësuesve të saj të cilët do marrin pjesë në intervistën e kandidatëve të cilët i plotësojnë kushtet për emërim të kryetarit dhe anëtarëve të KSHPK-së është dërguar edhe deri te Avokati i Popullit, ASHAM dhe Konferencën ndëruniversitare.
Siç mësohet, në përbërjen e KSHPK-së zgjidhet kryetar dhe gjashtë anëtarë të këtij Komisioni.