Rajon - Botë

Forcat izraelite vrasin 3 palestinezë në Bregun Perëndimor

Të paktën 3 palestinezë u vranë nga zjarri izraelit në Kudsin Lindor dhe qytetin Hebron të Bregut Perëndimor të pushtuar të dielën, transmeton Anadolu.

Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve, WAFA, raportoi se “dy të rinj palestinezë u qëlluan për vdekje nga forcat izraelite ndërsa 6 të tjerë u plagosën në qytetin Abu Dis, në Kudsin Lindor të pushtuar”.

Dëshmitarët okularë thanë se “forca të mëdha nga ushtria pushtuese sulmuan qytetin Abu Dis dhe rrethuan një shtëpi, gjë që shkaktoi konfrontime të dhunshme në vend”.

Forcat izraelite “shkatërruan pjesë të shtëpisë së rrethuar përpara se të gjuanin një predhë ‘Energa’ në të, e cila çoi në vdekjen e të riut të bllokuar brenda shtëpisë”, raportoi WAFA.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi për vdekjen e Musa Diya Musa Zaarour, 22-vjeç, si pasojë e “plagëve që ai mori gjatë konfrontimeve me forcat okupuese në qytet”.

Ministria njoftoi se “Ahmed Habis Debabise, 22-vjeç, u vra në një bastisje të kryer nga ushtarët izraelitë në vendbanimin Nuba të qytetit Hebron”.

Ushtarët izraelitë bastisën pika të ndryshme në Bregun Perëndimor të pushtuar gjatë gjithë natës dhe arrestuan disa palestinezë, thanë burimet lokale.