Gjermania apel Brukselit: Duhet udhërrëfyes për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, bëri thirrje për një “udhërrëfyes për reformën e Bashkimit Evropian” që synon të sigurojë që blloku të jetë gati për zgjerim, transmeton Anadolu.
“Për sa i përket reformave të brendshme të BE-së, ne nuk kemi ende një udhërrëfyes të tillë dhe ne duhet ta ndryshojmë këtë tani dhe të zhvillojmë një udhërrëfyes të tillë nën presidencën belge të këshillit. Një udhërrëfyes për reformën e Bashkimit Evropian”, tha Baerbock në fjalimin e saj gjatë konferencën mbi zgjerimin e BE-së, konferencë që mbahet në Berlin.
“Tani duhet të identifikojmë prioritetet konkrete për reformat që duam të trajtojmë në vitet e ardhshme”, shtoi ajo.
Parlamenti i BE-së dhe Komisioni i BE-së duhet të “përfshihen ngushtë” në procesin e reformës, i cili do të “hedhë themelin mbi të cilin ne mund të sigurojmë që Bashkimi Evropian është i përshtatshëm për një zgjerim, i përshtatshëm për të ardhmen”, tha ajo.
Baerbock theksoi se ky proces do të jetë “i vështirë” dhe “do të marrë shumë kohë”.
Duke përsëritur nevojën “për të forcuar BE-në”, Baerbock theksoi se zgjerimi i BE-së ishte bërë “një domosdoshmëri gjeopolitike”.
Lista zyrtare e vendeve kandidate për në BE përfshin Ukrainën, Moldavinë, Shqipërinë, Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Turqinë. Gjeorgjia dhe Kosova konsiderohen gjithashtu “kandidatë të mundshëm”.
Në konferencë, ministrat e Jashtëm nga vendet anëtare të BE-së dhe vendet kandidate u mblodhën në Berlin për të diskutuar zgjerimin dhe reformimin e procesit të vendimmarrjes së bllokut.
Gjermania për afrimin gradual edhe para anëtarësimit të kandidatëve
Gjermania mbështet afrimin gradual edhe para anëtarësimit të shteteve kandidate në BE me strukturat e BE, si p.sh. në Këshillat e Ministrave të BE, bën të ditur ndër të tjera Süddeutsche Zeitung.
Berlini dëshiron që të hapen më parë për kandidatët e BE programe të BE, si kërkimi shkencor, roaming për telefoninë celulare ose procedurat e thjeshtuara të vizave. Në përgjithësi kjo do të vlejë për fushat ku janë mbyllur me sukses kapituj negociatash anëtarësimi me Komisionin Evropian.
Për Gjermaninë, kjo nuk nënkupton shkurtim të rrugës për anëtarësim në BE. Në kuadër të reformës së BE, Gjermania do të kërkojë që pagesa e fondeve të BE në të ardhmen të orientohet më fort në respektimin e parimeve demokratike dhe të shtetit ligjor. Për këtë do të thjeshtohen procedurat e vënies para përgjegjësisë së shkelësve.
Ide të ngjashme paraqiti në samitin BE- Ballkan Perëndimor në Tiranë kryetarja gjermane e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Në fakt në Bruksel, pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, po shqyrtohet në grupe pune afrimi para anëtarësimit i kandidatëve me fusha të BE.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka ritheksuar interesin gjeopolitik të BE dhe të Gjermanisë për hapa konkretë në afrimin me kandidatët, veçanërisht me shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Ministri maqedonas, Osmani: Integrimi i Ballkanit Perëndimor duhet të fillojë tani
Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ishte gjithashtu i pranishëm në konferencën ministrore. Ministri foli në pjesën e parë të konferencës, së bashku me kryediplomaten gjermane Baerbock, atë të Sllovenisë, Tanja Fajon dhe të Ukrainës, Dmytro Kuleba.
Në fjalën e tij, Osmani tha se Maqedonia e Veriut është test për kredibilitetin e Bashkimit Evropian. Ai gjithashtu iu referua konceptit “Më shumë integrim, para anëtarësimit në BE”, si një nga modalitetet për të arritur në mënyrë efektive ekonomitë e vendeve anëtare të BE-së dhe për të kapërcyer hendekun që aktualisht po zgjerohet, në vend që të ngushtohet. Njëherazi, ai përshëndeti Planin e Zhvillimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, të prezantuar nga Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Pas 20 vitesh nga Agjenda e Selanikut, është e nevojshme të ndryshohet qasja aktuale bazë e gjithçkaje ose asgjëje, ku një vend për sa kohë që nuk është anëtar i Unionit nuk është i përfshirë në politikat apo institucionet e BE-së ose nuk ka qasje në fondet e BE-së. Në vend të kësaj, çdo kandidat, përmes zbatimit të suksesshëm të reformave dhe harmonizimit të politikave të tij me ato të BE-së, duhet të përparojë me ritmin e vet përmes integrimit gradual”, theksoi Osmani.