Maqedoni

Mblidhet Këshilli i Sigurisë së vendit: Nuk ka shenja që Maqedonia e Veriut është e rrezikuar

Situata e sigurisë në vend është stabile dhe nuk ka indicia që tregojnë rrezikimin e mundshëm të shtetit. Ky ishte konstatimi i pjesëmarrësve të institucioneve kompetente në Këshillin e Sigurisë. Nga kabineti i shefit të shtetit Stevo Pendarovski përmes një komunikate dërguar mediave thanë se janë njoftuar për zhvillimet në Ukrainë, në veri të Kosovës dhe në Lindjen e Mesme.

Këshilli i Sigurisë

“Përfaqësuesit e institucioneve kompetente infomruan për çështjet e sigurisë që kanë të bëjnë me vendin dhe rajonin e gjerë, përfshirë edhe agresionin rus ndaj Ukrainës, zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe situatën në veri të Kosovës. Si antare e NATO-s, RMV është në koordinim të rregullt me Aleancën dhe aleatët përsa i përket aktiviteteve që ndërmerren për përforcimin e sigurisë së hapësirës euro-atlantike”.

Po ashtu bënë me dije se në seancën e Këshillit të Sigurisë është konstatuar nevoja e institucioneve kompetente që të vazhdojnë të ndjekin ndodhitë dhe të përgatisin skenarë të mundshme në pajtim me zhvillimin e ngjarjeve, me qëllim që të ndërmerren masa dhe aktivitete në kohë .

Në seancë, krahas anëtarëve të Këshillit të Sigurisë, morën pjesë edhe drejtori i Agjencisë për siguri kombëtare, Zarko Milloshevski dhe drejtori i Agjencisë së Inteligjencës, Erolld Musliu. Poashtu të pranishëm në seancë ishin edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, ministri i Brendshëm Oliver Spasovski, e mbrojtjes Sllavjana Petrovska, ministri i Jashtëm Bujar Osmani, si dhe disa ekspertë të sigurisë.