Publikohet propozimi i Edi Ramës për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë
Është bërë publik një propozim i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë.
Propozimi me titullin “projekt – statuti për bashkësinë e komunave me shumisë serbe”, Kryeministri Rama ua dërgoi Presidentit francez Emmanuel Macron dhe Kancelarit gjerman, Olaf Scholz më 7 Qeshor të këtij viti, njofton TV Klan.al.
Ai përmban kornizat, kontekstin ligjor dhe politik, projekt-statutet e ndryshme, vijat e kuqe të palëve dhe parimet e hartimit.
Tre janë objektivat kryesorë.
“Implementimi i Marrëveshjes Bazë të vitit 2013, ratifikuar nga Kosova dhe i Marrëveshjes së 2015-ës.
Krimi i një kornize për vetëmenaxhimin me autonomi thelbësore për komunitetin serb të Kosovës.
Mbrojtje e dyfishtë”.
Katër janë parimet kryesore.
“Statuti përcakton kompetencat, organizimin dhe mënyrën e funksionimit të trupës.
Statuti i dërgohet për vlerësim Gjykatës Kushtetuese.
Asociacioni nuk duhet të zëvendësojë, t’í mbivendoset osë të reduktojë të drejtat e asnjë prej komuniteteve me banim në këto komuna.
Pjesëmarrja vullnetare është e hapur së pari për bashkitë me shumicë serbe”.
Ndër kompetencat kryesore janë bashkëpunim dhe bashkëveprimi ndërkomunal, promovimi dhe mbrojtja e të drejtave dhe interesave të komunitetit serb në Kosovë pa paragjykime ndaj komuniteteve të tjera, menaxhimi i institucioneve lokale të shëndetit dhe arsimit dhe hartimi i politikave që nxisin përparimin e demokracisë dhe angazhimit civil lokal.
Por si do të funksionojë kjo bashkësi komunash? Kryeministri Rama propozon këtë strukturë organizative.
“Struktura organizative, asambleja, Presidenti dhe zv/presidenti, Bordi, grupi këshillues, administrata, zyra e ankesave”.
Përsa i përket marrëdhënieve me autoritetet qëndrore, në propozimin e Kryeministrit Rama parashikohen këto sugjerime.
“Bashkësia nuk duhet të zëvendësojë apo minojë marrëdhëniet kushtetuese dhe ligjore mes autoriteteve qëndrore dhe lokale në Kosovë.
Dy vitet e para pas nisjes nga puna, bashkësia do të monitorohet nga Bashkimi Europian
Bashkësia mund të hartojë këshilla dhe ekspertizë teknike në hartimin e legjislacionit, siç bën Këshilli Konsultativ për Komunitetet”.
Drafti është pranuar nga të dyja palët, si nga pala serbe ashtu edhe nga pala kosovare, që fillimisht e kundërshtoi atë nëpërmjet Kryeministrit Kurti, por duket që presioni ndërkombëtar ka bërë që pala kosovare ta pranojë këtë propozim të Kryeministrit Rama.
“Të dyja palët thanë se projekt-dokumenti mund të shërbejë si dokument i përshtatshëm pune.
Kosova ka ngritur disa çështje, paraqiti disa papërputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës dhe dokumente të tjera. Serbia njoftoi se kishte disa pyetje dhe shqetësime pa theksuar kundërshti të veçanta”.
Në përfundim të draftit thuhet se ai ka marrë edhe mbështetjen e partnerëve kryesorë ndërkombëtarë.
“Draft-Statuti mbështetet nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara. Draft-Statuti nuk shkel asnjë vijë të kuqe të Kosovës. Draft-Statuti ve në dukje prioritetet kryesore të Serbisë”.
Kur u propozua nga Kryeministri Rama, në Shqipëri e Kosovë shpërthyen akuzat kundër tij, ndoshta edhe për faktin se drafti nuk ishte publik.
Por ai u përshëndet nga emisarët e BE dhe SHBA, Lajçak e Escobar, ndërsa Brukseli e vlerësoi si serioz.
Pranimi i propozimit të Kryeministrit Rama bëhet kështu për herë të parë një bazë e ndërtimit të një dokumenti të Bashkimit Europian për një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë.
Ai parashikon edhe mënyrën e financimit të asociacionit, me kontribute nga anëtarët, autoritetet e Kosovës, grante të tjera dhe donacione përfshirë edhe nga Serbia.
Buxheti dhe shpenzimet të jenë subjekt i një mbikqyrjeje të një periudhe 5-vjeçare nga Bashkimi Europian dhe që mund të rinovohet, ndërsa Auditi i Përgjithshë i Kosovës do të bëjë kontrolle të jashtme ndaj Asociacionit në përputhje me ligjin. /TVKlan/
Detajet nga propozimi i Ramës për Marrëveshjen Kosovë – Serbi i gjeni në videon e publikuar KËTU