Grosha e Tetovës drejt zhdukjes – Ulet interesimi për kultivimin e saj
“Gjithnjë e më rrallë në vendin tonë gjendet groshë e Tetovës. Këtu shohim gjashtë apo shtatë lloje të groshës por që janë të importuara. Prodhuesit thonë se shkak për mungesën e groshës së Tetovës, që është edhe e mbrojtur nga shteti, është mungesa e ndihmës nga shteti, por edhe mungesa e fuqisë punëtore. Ndërkohë që ajo pak groshë Tetove që e hasim nëpër markete, shitet të paktën 500 denar kilogrami, dhe nuk është e përballueshme për një familje për ta blerë”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar.
“Katërqind pesëqind denarë grosha e mirë e jona, por ka që shesin edhe nga 200 apo 300 denarë, por për të blerë problem. Problem paraja është”, tha një banor.
“S`ka para tani krizë është, shtrenjtë është edhe 400 denarë shumë është se mishin mund ta marrish me aq”, u ankua një banor.
“Katërqind denarë grosha e Tetovës është, por jo ska para për të blerë, marrim gjysmë kilogrami dhe aq, s’mund ta mbërrijnë njerëzit”, deklaroi një banor.
Nëse dikur Tetova prodhonte groshë edhe për eksport, sot është problem të gjesh diku 5 kilogram për të blerë, thotë Gjure Angjelkovski nga Miletina, i cili, që nga viti 1968 ka grumbulluar groshë në Pollog të cilën e ka shituar në perëndim.
“Unë që nga 1968 jam marrë me grumbullimin e groshës së Tetovës. Unë kam dërguar nga 200 ton për Greqi, ka pasur edhe më shumë Pollogu. Unë jam nga Miletina ju tregova, nga 25 shtëpi kam mbledh 25 ton. Madje me emër e mbiemër i di shqiptarë e maqedonas kush ka bërë një ton. Dy tre vitet e fundit, kërkoj pesë kilogram të blej, nuk ka. Përse ndodh kjo, sepse nuk punohet më toka”, u shpreh Gjure Angjellvkoski, banor i Miletinës.
“Groshë nuk ka se nuk mbillet më nuk ka kush e punon, populli kanë ikur jashtë gjithë, këtu pa rroga s’mund të jetohet. Shteti s’ndihmon asgjë më shumë na merr se sa na ndihmon”, shtoi një banor.
Kultivuesit thonë se, përveç mungesës së fuqisë punëtore, kanë ndikuar shumë edhe ndryshimet klimatike në uljen e prodhimit. Ndryshe, grosha e Tetovës, njihet për vetitë e saja të mira gjatë gatimit, ndërsa është e mbrojtur edhe në Entin Shtetëror për pronësi industriale ku janë të shënuara vendi i prodhimit por edhe karakteristikat e saj.