Rajon - Botë

Erdoğan në tubimin për Palestinën: Masakra në Gaza është tërësisht vepër e Perëndimit

Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan tha se “Jemi në këmbë për Gazën ashtu sikur shqetësohemi edhe me problemet e vëllezërve tanë që kanë drejtuar zemrat dhe sytë e tyre tek ne në çdo vend ku shtrihet horizonti ynë”, raporton Anadolu.

Erdoğan mbajti një fjalim në “Tubimin e Madh për Palestinën” i cili u organizua nga Kryesia Rajonale e AK Partisë për Istanbulin në aeroportin Atatürk. Erdoğan falënderoi pjesëmarrësit, qytetarët e Istanbulit dhe të ftuarit nga jashtë vendit.

“Vëllezër, ju sot jeni një popull aq i madh sa këtë e keni vërtetuar edhe në mënyrë tjetër. Jemi një popull dhe një shtet aq i madh sa që as fuqia jonë, as problemi ynë dhe as lufta jonë nuk janë të kufizuara vetëm në kufijtë tanë. Teksa nesër përjetojmë emocionet e 100-vjetorit të themelimit të Republikës, ne sot ngremë zërin ndaj gjithë botës për zjarrin në zemrat tona për Gazën. Ashtu si kemi vepruar në të kaluarën, në Thrakia, Ballkan, Kaukaz, brigjet e Mesdheut Lindor dhe në të gjitha anët e Azisë së Mesme, Azisë Jugore dhe Afrikës.

Edhe sot jemi në këmbë për Gazën ashtu sikur jemi shqetësuar edhe me problemet e vëllezërve tanë që kanë drejtuar zemrat dhe sytë e tyre tek ne në çdo vend ku shtrihet horizonti ynë, ashtu sikur kemi zgjatur dorën e ndihmës, si dhe kur kemi hapur kufijtë tanë për vëllezërit tanë kur ka qenë e nevojshme”, deklaroi Erdoğan.

Izraeli u shqetësua shumë kur thashë se Hamasi nuk është organizatë terroriste, tha Erdoğan duke shtuar se “Në fakt nuk prisnim gjë tjetër. E dinim që ju do ta thoshit këtë dhe ngaqë e dinim këtë ne e thamë në mënyrë të qartë”.

Duke bërë të ditur se ata vetë dhe rinia e brezit të mëparshëm e kanë kaluar kohën duke ndjekur, shpjeguar dhe duke dënuar dhimbjet që kanë përjetuar vëllezërit e tyre në mbarë botën, Erdoğan tha: “Ne kemi derdhur lot për shumë gjeografi, nga Krimea në Karabak, nga Bosnja në Kirkuk, nga Palestina në Turkistan, nga Afganistani në Çeçeni”.

“Nëse gërvishtni fundin e koncepteve të shprehura nga drejtuesit më të lartë izraelitë, brenda atyre del harta e tradhtisë që përfshin edhe territoret e vendit tonë. Çfarë ishte Gaza dhe Palestina në vitin 1947, çfarë janë sot? Izrael, si erdhët këtu? Si hyre? Ju jeni një okupator, ju jeni një organizatë. Prandaj populli turk e di këtë. (Izrael) Perëndimi ju ka borxh, por Türkiye nuk ju ka borxh. Prandaj ne flasim kaq lirshëm. Prandaj Erdoğan flet kështu sepse Türkiye nuk ju ka borxh”, theksoi Erdoğan.