Maqedoni

Kovaçevski: Do të diskutonim “hollësitë” për datën e zgjedhjeve

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, theksoi se finesat për datën e zgjedhjeve mund të diskutohen, por datat duhet të jenë brenda kornizave ligjore. Kovaçevski nuk e refuzoi kategorikisht ofertën e opozitës për zgjedhje të rregullta të dyfishta presidenciale dhe parlamentare në pranverë, shkruan Alsat.

Ai tha se dje është takuar me kryetarët e partive të koalicionit qeverisës, përfshirë liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, por nuk ka dhënë detaje të tjera. Ai tha vetëm se data e zgjedhjeve duhet të diskutohet brenda grupit të punës në Ministrinë e Drejtësisë, e cila do të hartonte ndryshimet në Kodin Zgjedhor në pajtim me rekomandimet e OSBE-së.

Sipas tij, çdo format tjetër në të cilin do të diskutohej një datë zgjedhjesh do të ishte jo-institucional.

“Vetëm VMRO-DPMNE nuk ka deleguar përfaqësuesin e saj, kështu që unë i inkurajoj ata të delegojnë përfaqësuesin e tyre, sepse një ose dy parti nuk mund të vendosin për një proces në të cilin marrin pjesë më shumë se 30 parti politike. Vendi për një gjë të tillë është në një grup pune, i cili si gjithmonë e bën këtë. Atje do të finalizohen rekomandimet e OSBE-ODIHR, për ligjin dhe mund të diskutohet edhe koha e saktë e zgjedhjeve”, tha Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

VMRO-DPMNE më parë nuk emëroi përfaqësues të saj në grupin punues të Ministrisë së Drejtësisë, por nga partia thanë se do t’i mbështesin ndryshimet sapo të hartohen, sepse, siç thonë ata, bëhet fjalë për ndryshime teknike, për të cilat japin pëlqim.

Tani për tani, nuk ka asnjë përgjigje nga partia opozitare nëse ata tani do të emëronin përfaqësuesit e tyre në këtë grup pune, pasi Kryeministri sugjeroi që të flitej edhe për datat e zgjedhjeve.

Ndërkohë, opozita shqiptare përsëriti mbështetjen e saj për zgjedhje të dyfishta me një shpenzim, por këmbënguli që të bëhej një shpallje sa më shpejt të ishte e mundur, për një anëtar të ri të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

KSHZ aktualisht operon me gjashtë anëtarë, në vend të shtatë. Katër anëtarë janë përfaqësues të partive në pushtet, dhe vetëm dy nga partitë opozitare, sepse anëtari i më parshëm Krenar Loga, ndërkohë u bë pjesë e qeverisë si Ministër i Drejtësisë. BESA i kërkon qeverisë të mos vonojë procedurën e shpalljes. Përndryshe, kjo pikë pritet të jetë para deputetëve në seancën e caktuar më 2 nëntor.

Dje, kryetari Talat Xhaferi shpalli datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve. Ai tha se zgjedhjet e rregullta të dyfishta presidenciale dhe parlamentare mund të organizohen vetëm midis 5 dhe 8 majit, megjithëse vlerësoi se 8 maji ishte një datë kritike, pasi më datën 12 të të njëjtit muaj do të duhej të inaugurohej presidenti i ri.

Të gjitha datat e tjera para 5 majit, sipas Xhaferit, nënkuptojnë se zgjedhjet parlamentare do të ishin të parakohshme, kështu që oferta e Mickoskit për të organizuar zgjedhje të rregullta të dyfishta midis Ramazan Bajramit dhe Pashkëve u hodh poshtë.