Lajmet e rejaMaqedoni

Intonimi i himnit në shkolla çdo të hëne – Reagojnë Shaqiri dhe Kasami

Intonimi i himnit në shkolla çdo të hëne – Reagojnë Shaqiri dhe Kasami

Në mungesë të projekteve kapitale dhe investimeve në arsim, kryetarë të caktuar komunash nga radhët e VMRO-DPMNE miratojnë vendimin për intonimin e himnit në shkollat e territorit të tyre. Kështu u përgjigj ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri thirrjes së kreut të opozitës, Hristijan Mickoski që intonimi i himnit të bëhet i obligueshëm në të gjitha shkollat e vendit çdo të hënë. Në vend se të merret me himnin, ministri Shaqiri apeloi Mickoskin të këshilloj kryetarin e komunës së Gazi Babës të gjej zgjidhje për fëmijët shqiptarë të Idrizovës.

“Unë do ta kisha vlerësuar iniciativën që e ka filluar Komuna e Gazi Babës ta dorëzoj në secilën shkollë që të vlerësohet edhe nga drejtorët e shkollave dhe nga Këshilli I prindërve të marrë mendimin. Liderit të opozitës unë po i apleoj, sepse aty u bë kërkesa që njësoj të komunikoj me kryetarin e komunës për të drejtën kushtetuese të cilën e kanë fëmijët e Njegoshit dhe përse ai nuk ua mundëson atyre të kenë të drejtën në gjuhën amtare të cilën ja mundëson kushtetuta. Ai duhet të dijë dhe të përgjigjet përse nuk u mundësohet fëmijëve për të mësuar në gjuhën shqipe”, deklaroi Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit.

Bilall Kasami nga Lëvizja Besa tha se himni i shtetit nuk reflekton realitetin multietnik dhe të shoqërisë në Maqedoninë e Veriut prandaj edhe nuk mund të intonohet në komunat me shumicë shqiptare.

“Përderisa është ky realitet…kjo nënkupton ose duhet të ndërrohet himni i shtetit dhe të respektoj diversitetin kulturor dhe etnik ose nëse miratohet vendim që kështu si është të intonohet atëherë duhet të respektohet përkatësia multietnike e shtetit dhe shoqërisë dhe në vendet, në komunat apo në lokalitetet me shumicë shqiptare, si komunitet i dytë shumicë duhet të intonohet edhe himni shqiptarë”, tha Bilall Kasami, Lëvizja Besa.

Pas Komunës së Aerodromit, tashmë edhe komuna e Gazi Babës ka miratuar vendimin që procesi mësimor në shkollat e kësaj komune të nis me intonimin e himnit kombëtar çdo të hënë. Sipas komunës, qëllimi është të krijohet shprehi tek fëmijët që të kenë respekt dhe dashuri për atdheun që në moshë të vogël.