Një dron dhe një raketë bien në lindje të Egjiptit
Një mjet ajror pa pilot (dron) ka rënë në qytetin Taba në afërsi të kufirit izraelit në lindje të Egjiptit, ndërsa një raketë ka goditur qytetin Nuweiba që ndodhet në brigjet e Gjirit Akaba, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i ushtrisë egjiptiane, koloneli Gharib Abdel-Hafez në një deklaratë konfirmoi se mbi një ndërtesë në qytetin Taba ka rënë një dron i “paidentifikuar”.
“Në incidentin u plagosën 6 persona, të cilët pas ndërhyrjes së parë janë liruar nga spitali. Ngjarja po hetohet nga një ekip ekspertësh të përbërë nga autoritete përkatëse”, tha Abdel-Hafez.
Sipas lajmit të televizionit “Al-Kairo” i cili transmeton në Egjipt, një raketë ka rënë në qytetin Nuweiba që ndodhet në brigjet e Gjirit Akaba në juglindje të Gadishullit Sinai.
Zyrtarët egjiptianë kanë filluar hetim lidhur me rënien e raketës në Nuweiba.
Nga ana tjetër edhe zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, në një deklaratë nga llogaria e tij në median sociale njoftoi se në rajonin e Detit të Kuq u identifikua një kërcënim ajror dhe avionët luftarakë u dërguan në rajon.
Adraee bëri të ditur se po vazhdon hetimi lidhur me ngjarjen dhe parashikojnë se rënia e raketës në Nuweiba buron nga kërcënimi në fjalë.
“Për të mbrojtur sigurinë e rajonit, Izraeli do të punojë me SHBA-në dhe Egjiptin kundër kërcënimeve që mund të vijnë nga zona e Detit të Kuq”, tha Adraee.
Qyteti Taba i Egjiptit në afërsi të kufirit izraelit, ndodhet rreth 7 km larg nga qyteti Eliat i Izraelit.