Rajon - Botë

Taksa e gazit rus, nesër në parlamentin bullgar

Çështja e taksës shtesë 10 euro për megavat orë për gazin rus që kalon përmes Bullgarisë, nesër do të shqyrtohet sërish në Parlamentin e Sofjes. Megjithëse taksa ishte miratuar me 13 tetor, presidenti Radev ushtroi autoritetin e tij për tu ankuar në Gjykatën Kushtetuese. Ai kërkoi nga Gjykata Kushtetuese të vërtetoj se ka shkelje kushtetuese të dispozitave të Ligjit për Kontrollin e Zbatimit të Masave Kufizuese të veprimeve të Rusisë që destabilizojnë situatën në Ukrainë. Presidenca e Radevit kumtoi se janë shkelur parimet e garantimit të së drejtës së pronës dhe iniciativës së lirë ekonomike dhe ligji u miratua në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës ndërkombëtare.

“Në kërkesën e drejtuar në Gjykatën Kushtetuese, kreu i shtetit Rumen Radev vlerëson se janë shkelur një sërë dispozitash të parashikuara në Kushtetutën bullgare. Tekstet e kontestuara janë në kundërshtim me parimin e ligjshmërisë së taksave dhe tarifave, pasi fillimisht nuk është e qartë natyra juridike e ‘kontributit’ të sapo futur dhe nëse bëhet fjalë për taksë, tarifë apo ryshfet”, njoftojnë nga Presidenca e bullgarisë.

Maqedonia aktualisht furnizohet vetëm nga gazsjellësi që kalon përmes Bullgarisë, ndërsa interkonektori përmes Greqisë akoma mbetet projekt, për ndërtimin e të cilit pritet të filloj nga fundi këtij viti. Ndërkaq, Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi theksoi se Maqedonia nuk do të shantazhohet dhe se kërkojnë ti lirojnë sasitë e porositura nga Gazprom.

“Unë fillimisht mendoj se Bullgaria vendimin nuk e ka sjell vetëm për Maqedoninë sepse përmes Bullgarisë gazi natyror transportohet në Serbi, Hungari dhe vendet tjera të BE-së. Por rasti me Maqedoninë është ndryshe! Për arsye se Bullgaria në të kaluarën i ka lejuar një kompanie të blej 100% të kapaciteteve, që tani nuk ka ndodhu në rastin me Greqinë apo Serbinë. Prandaj ne nuk kontestojmë taksat shtesë, por kërkojmë të na lirohen pjesa e sasisë së gazit të parapaguar dhe për të ardhmen sipas tregut të gjejmë mundësi tjera të furnizimit”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Vitin e kaluar vendi ynë siguroi 180 milion metër kub gaz, por nevojat e brendshme kërkonin 400 milion m3 gaz. Tarifa shtesë mund t’i sigurojë Bullgarisë deri në 1.3 miliardë euro në vit, por do të rëndon ato vende që furnizohen me gaz rus përmes gazsjellësit në Bullgari. Autoritetet tona do të kërkojnë dëmshpërblim nga Bullgaria dhe Bashkimi Evropian nëse Bullgaria nis të zbatojë vendimin për taksën e re.