Kosovë

Zbulohen emrat e dy terroristëve të sulmit në Banjskë, kanë fituar tenderë nga komuna e Leposaviqit

Qeveria e Kosovës ka ndarë detaje tronditëse përmes një raporti preliminar 50-faqësh për grupin terrorist serb që realizuan sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Në raport figurojnë dy kontrata për shërbime të arritur mes Komunës së Leposaviqit dhe Gjorgje Baloviq e Aleksandar Tanashkoviq, për të cilët autoritetet kosovare thonë se ishin pjesë e grupit terrorist në Banjskë.

Sipas këtyre kontratave që ka siguruar Insajderi, Baloviq dhe Tanashkoviq ishin të angazhuar për pastrimin e rrugëve, parqeve të Leposaviqit dhe mirëmbajtjen e lumit Ibër.

“Kontraktori merr përsipër të pastrojë rrugët, parqet dhe brigjet e lumit Ibër për klientin. Dhe për të krijuar një mjedis më të pastër, më të shëndetshëm dhe ekologjikisht më të pastër për qytetarët e komunës së Leposaviqit”, thuhet në një nga nenet e kontratës, që figuron në raport preliminar.

Në bazë të kontratës, Baloviq dhe Tanashkoviq parashihej të paguheshin 40 mijë denarë apo 341 euro në muaj.