Kosovë

Shpërndaje: Prokuroria nis hetimet për Lëvizjen anti-islame në Deçan

Prokuroria Themelore në Pejë ka filluar hetimet pas formimit të Lëvizjes Braktisja vullnetare e Fesë Islame.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi zëdhënësi i këtij institucioni, Shkodran Nikçi, i cili ka thënë se janë në verifikim nëse ka elemente të veprës penale.

“Ne si prokurori që nga paraqitja publike e kësaj iniciative, e kemi monitoruar në vazhdimësi dhe njëkohësisht këtë të enjte, Prokuroria Themelore e Pejës ka hapur rast, për verifikim të asaj nëse ka elemente të veprës penale të nxitjes së urrejtjes apo mos durimit dhe varësisht nga ajo çka mund të rezultojë do të ndërmerren edhe hapat dhe veprimet e mëtutjeshme”, tha Nikçi.

Ndryshe javën e kaluar një bujë të madhe bëri në rrjet, formimi i lëvizjes për braktisjen vullnetare të fesë islame. Në takimin përkatës të mbajtur në Deçan ishin të ftuar personalitete të ndryshme.

Disa nga qytetarët që braktisën fenë islame në këtë tubim kishin thënë se arsyeja kryesorë është kombi.

Kryetari i Komunës se Deçanit Bashkim Ramosaj kishte dal kundër kësaj lëvizje.

Edhe Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka thënë se lëvizje të tilla shkojnë në shërbim të armikut.

“Mua ata njerëz po më dhimbsen. Ata thjesht janë një mbetje e sistemit komunist, ateisto-enveristo-stalinist, që mendojnë se iu ka ardhur koha që ta bëjnë një lëvizje të tillë. Dhe shikoni kur, në kohën kur Kosova vërtet po vendos për fatin e vet, të ardhmërisë së vendit tonë, ata bëjnë lëvizje të tilla që shkojnë në shërbim të armikut të Kosovës”, ka deklaruar ai.