Të shtëna në SHBA, vriten 22 persona
Të paktën 22 persona u vranë nga të shtënat në disa lokacione në shtetin Maine të SHBA-së të mërkurën në mbrëmje, raporton Anadolu.
Policia e shtetit Maine ka lëshuar alarm për “sulmues aktiv” në Lewiston. Personi i armatosur qëlloi në disa lokacione, duke përfshirë një restorant dhe një rrugicë bolingu.
NBC News raportoi se 50 deri në 60 persona u plagosën.
Zyra e Sherifit të Qarkut Androscoggin ndau imazhet e personit të armatosur me një pushkë sulmi.
Autoritetet e Lewiston kanë lëshuar urdhër evakuimi dhe kanë shpallur tri zona ku policia po heton. Sulmuesi i dyshuar është ende në arrati, ndërsa policia është në kërkim.
Gjithashtu, Departamenti i Policisë Lewiston ka shpallur Robert Card 40-vjeç, si “person në kërkim”.
“Card duhet të konsiderohet i armatosur dhe i rrezikshëm. Ju lutemi kontaktoni policinë nëse e dini vendndodhjen e tij”, njoftoi policia.
Presidenti amerikan Joe Biden ofroi mbështetjen e tij të plotë pas “këtij sulmi të tmerrshëm” gjatë bisedimeve me guvernatoren e Maine, Janet Mills, senatorët Angus King dhe Susan Collins dhe kongresistin Jared Golden, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Shkollat publike Lewiston do të mbyllen të enjten.