BE fton Kurtin e Vuçiqin në Bruksel të enjten: Kemi bërë një propozim modern evropian për Asociacionin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen më 26 tetor, margjinat e takimit të Këshillit Evropian.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një përgjigje me shkrim dërguar Telegrafit.
Kjo sipas tij ka ardhur si rezultat i takimit të pesë përfaqësuesve ndërkombëtarë që zhvilluan në Kosovë dhe Serbi më 21 tetor dhe shkëmbimeve që kanë pasur me palët.
Stano theksoi se Bashkimi Evropian ka paraqitur një propozim “modern evropian” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Diskutimet e të dërguarit të posaçëm [të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi], Mirosllav Lajçak, gjatë fundjavës në Beograd dhe Prishtinë ishin të fokusuara në zbatimin e Aneksit të Ohrit. Nuk ka ndonjë qëllim që ai të zëvendësohet. U diskutuan propozime dhe ide të ndryshme, disa me shkrim, dhe këto diskutime do të vazhdojnë”, u shpreh ai.
Kjo shton Stano po ashtu përfshin edhe një propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Priten hapa të shpejtë të palëve që të dëshmojnë se janë të përkushtuar për të vazhduar procesin e normalizimit, duke përmbushur obligimet e tyre përkatëse nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve si dhe të gjitha marrëveshjeve nga e kaluara, pa vonesa dhe parakushte”.
Blloku evropian tha se pret që palët të ndërmarrin veprime të shpejta për normalizimin e raporteve.
Ndryshe, në Kosovë dhe Serbi më 21 tetor qëndroi Lajçaku, së bashku me katër diplomatë të tjerë: i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe zyrtarët e lartë nga Franca, Emanuel Bonne, Gjermania, Jens Plotner dhe Italia, Alessandro Cattaneo, erdhën në Prishtinë me një plan.
Samiti i BE-së, apo siç njihet formalisht ky takim “Këshilli Evropian”, zhvillohet të enjten dhe të premten në Bruksel.
Në atë takim dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, sikurse edhe situata e sigurisë në veri të Kosovës, do të jenë ndër temat e diskutimeve.