Kosovë

Vjosa Osmani “shuplakë” Bërnabiqit në OKB: Serbia dëshiron territor të Kosovës por, nuk do ta marrë kurrë (Video)

Kosova dhe Serbia kanë këmbyer akuza gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku u diskutua për raportin për Kosovën të sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres. Teksa Serbia mohoi çdo përfshirje në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë dhe tha se ngjarjet ishin rezultat logjik i “terrorit” ndaj serbëve, Kosova tha se më 24 shtator ishte “cak i agresionit nga Serbia”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë paraqitjes para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, tha se Serbia dëshiron territor të Kosovës “por, nuk do ta marrë kurrë”. “Ne duam paqe dhe Serbia e dëshmoi më 24 shtator se do luftë. Por, ne nuk do ta lejojmë të ndodhë kjo”, tha Osmani. Sipas Osmanit, më 24 shtator plani ishte “destabilizimi i rajonit” të Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm i Kosovës. Osmani tha se burimi kryesor i financimit, armatosjes dhe trajnimit të grupit të armatosur në Banjskë “është Republika e Serbisë”.

“Çfarë dëgjuam nga Serbia sot ishte minimizimi i aktit të agresionit ndaj Kosovës”, tha Osmani. Presidentja e Kosovës iu drejtua me një mesazh serbëve që jetojnë në Kosovë, duke u thënë se Kosova është shtëpia e tyre. “Konfirmoj se jemi të përkushtuar që të bëjmë më shumë për serbët në Kosovë. Por, ne nuk do t’i japim Serbisë instrumente përmes së cilave ata mund të shkatërrojnë jetën e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe të vazhdojnë të tentojnë të shkatërrojnë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial”, tha Osmani. Ajo tha se Kosova është e përkushtuar për paqe dhe mbetet e angazhuar për dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë.