Maqedoni

Mbi 2 mijë zjarre, vetëm 20 kallëzime penale

Nga fillimi i qershorit deri më sot, Qendra për Menaxhimin e Krizave ka regjistruar 2058 zjarre në të hapur.

Se sa sipërfaqe të pyjeve janë djegur do të përcaktohet në të ardhmen.

Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angellov, thotë se duhet të punohet shumë më shumë në parandalim, por edhe në zbulimin e autorëve, sepse dënimet, thotë ai, do të ulin numrin e zjarreve.

“Puna e zjarrfikësve është të shuajnë, ndërsa MPB-ja të zbulojë autorët. Vetëm 20 kallëzime penale janë bërë nga MPB…”, tha Stojançe Angellov – drejtor i QMK-së.

Shumica e zjarreve vijnë nga kashta e djegur nga bujqit ose subjektet më të mëdha afariste private që menaxhojnë sipërfaqe më të mëdha bujqësore. Shoqatat vullnetare të zjarrfikësve luajnë gjithashtu rol të madh. Por përballen me probleme serioze në funksionim siç është numri i vogël i vullnetarëve, përkatësisht rreth 200.

“Janë vetëm dhjetë shoqata aktive vullnetare të zjarrfikësve, prej të cilave vetëm pesë kanë pajisje dhe automjete të përshtatshme për të ofruar ndërhyrje të tilla. Krahasuar me vendet e tjera, situata është e frikshme. 90 për qind e pajisjeve janë donacion. Bëhet fjalë për donacione të huaja”, u shpreh Kirill Maihaillov, Shoqata vullnetare zjarrfikëse Sveti Nikolla.

Vullnetarët ankohen se nuk kanë mbështetje nga institucionet shtetërore. Ndryshe nga 10 shoqatat tona, ka 1400 brigada vullnetare të zjarrfikësve në Slloveni. Në Austri, 99 për qind e zjarrfikësve janë vullnetarë dhe vetëm 1 për qind janë profesionistë. Mirë qëndron edhe Kroacia, ku njësoj si Sllovenia ka rreth 150 mijë vullnetarë.

“Duhet të ketë mirëkuptim më të madh nga pushteti lokal dhe qendror për nevojën që qytetarët të mbrohen në mënyrë adekuate. Nuk do të arrihet kurrë vetëm me një qasje profesionale. Duhet të ketë më shumë organizata në nivel lokal”, theksoi Stjepan Kovaçek, Ekspert nga Kroacia.

Ndryshe nga Evropa, ku vullnetarët kanë përfitime të caktuara, zjarrfikësit vullnetarë në vendin tonë nuk kanë asnjë privilegj. Ligji i zjarrfikësve është i vitit 1968 me ndryshime të vogla nga viti 2017.

Qeveria tani po shpall një sistem të ri për mbrojtjen civile, ku shoqatat vullnetare do të kenë vendin e duhur.