Rajon - Botë

Dje Srebrenica sot Gaza, protestë në Sarajevë në mbështetje të Palestinës

Mijëra njerëz u mblodhën në Sarajevë, kryeqytetin e Bosnjë dhe Hercegovinës, për të protestuar kundër sulmeve të Izraelit në Gaza, raporton Anadolu.

Të pranishmit u mblodhën në sheshin përballë Bibliotekës historike Vijeçnica, një nga simbolet e Sarajevës, duke shpalosur flamuj palestinezë dhe duke protestuar kundër sulmeve të Izraelit në Gaza.

Po ashtu, në protestë morën pjesë edhe ambasadori palestinez në Sarajevë, Rezeq Namoura, kryebashkiakja e Sarajevës, Benjamina Kariq, si dhe shumë turistë.

Në një fjalë rasti, Kariq tha se Sarajeva ka qenë gjithmonë në anën e duhur dhe se ata e dinë shumë mirë se çfarë do të thotë rrethimi nga lufta e viteve 1992-1995.

Majed Maarouf, president i Unionit të Palestinezëve në Bosnjë dhe Hercegovinë, tha se populli palestinez ka qenë i ekspozuar ndaj padrejtësive dhe është mbrojtur kundër pushtimit izraelit.

Duke vënë në dukje se duan një shtet të pavarur palestinez, Maarouf tha se duan të ndërtojnë ura paqeje me popullin izraelit.

Demonstruesit mbanin pankarta ku thuhej “Dje Srebrenica, sot Gaza” dhe brohoritën “Stop gjenocidit” dhe “Liri për Palestinën”.

Edina Turanoviq, një nga demonstrueset, deklaroi protestës iu bashkua për të shprehur mbështetje për palestinezët që po u nënshtrohen sulmeve izraelite dhe se dëshiron që bota të mos heshtë më për atë që po ndodh në Gaza.

Ndërkaq, Amar Sako tha gjithashtu se “Izraeli po kryen sulme të tmerrshme dhe këto duhet të marrin fund tani” dhe se është e rëndësishme që e gjithë bota të dijë se çfarë po ndodh në Gaza.

“Izraeli po kryen gjenocid në Gaza dhe kjo është e vërteta”, tha ai.

Një tjetër demonstruese, Rumejsa Sarajliq, tha se populli palestinez po kalon kohë të vështira dhe se duhet të shprehin solidaritet me ta gjatë kësaj periudhe.

Në protestë u luajt edhe muzikë popullore palestineze.