Rajon - Botë

Presidenti palestinez Abbas: Do të qëndrojmë në trojet tona pavarësisht sfidave

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas paralajmëroi kundër përpjekjeve për të zhvendosur popullin palestinez nga Rripi i Gazës, Kudsi, apo kudo tjetër që gjendet, raporton Anadolu.

Në fjalimin e tij në Samitin e Paqes në Kajro, Abbas tha: “Izraeli shënjestron në mënyrë joselektive mijëra civilë, spitale, shkolla dhe qendra strehimi në Rripin e Gazës”.

Abbas paralajmëroi gjithashtu për sulme nga “pushtuesi dhe kolonët ekstremistë në Kuds dhe vendet e tij të shenjta”.

“Ne nuk do të pranojmë zhvendosjen”, tha presidenti palestinez, duke theksuar: “Ne do të qëndrojmë në trojet tona pavarësisht sfidave”.

Abbas tha se “paqja dhe siguria do të arrihen nëpërmjet një zgjidhjeje me dy shtete me Kudsin si kryeqytet i shtetit palestinez, dhe një zgjidhjeje të drejtë për çështjen e refugjatëve në bazë të rezolutave përkatëse ndërkombëtare”.

Ai tha se qeveria izraelite “nuk i dëgjoi thirrjet për një armëpushim”.

Presidenti palestinez ripërsëriti “refuzimin e tij për vrasjen e civilëve nga të dyja palët, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve”.

Samiti i Paqes në Kajro filloi me pjesëmarrje ndërkombëtare, arabe dhe të OKB-së për të diskutuar zhvillimet e fundit në konfliktin midis Izraelit dhe Palestinës.

Sipas medias së Egjiptit, të paktën 31 vende dhe tri organizata ndërkombëtare kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në Samitin e Paqes në Kajro.