Deputetja britanike që po e “dridh” Serbinë sot qëndron në Kosovë
Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, do të qëndrojë sot për një vizitë zyrtare në Kosovë.
“Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim deputeten britanike Alicia Kearns”, thuhet në njoftim.
Kearns do të takohet me kryeparlamentarin Glauk Konjufca, rreth orës 13:00.
Deputetja britanike në vazhdimësi ka bërë reagime për zhvillimet në Kosovë, duke kërkuar që Serbia të sanksionohet.
“Tashmë kemi dy javë që kur Radoiçiq e pranoi fajin për sulmin në Kosovë, ku u vra një oficer policie. Ai mbetet i lirë në Serbi. Nuk ka pasur pasoja për Serbinë pavarësisht glorifikimit të terroristëve me një ditë zie – një akt i qartë përshkallëzimi”, thuhet në reagimin e Kearns para pak ditësh.
Gjithashtu, ajo kohë më parë kishte paralajmëruar se në veri po futet armatim ilegal nga ana e Serbisë.
“Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët [regjiment ushtarak britanik] që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përtej kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona vihen në dijeni për këtë dhe përpiqen të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, lejet zgjasin shumë. Deri në momentin që ka leje – të papritura – një ambulancë veçse ka shkuar në kishë dhe ka shkarkuar përsëri të gjitha armët”, kishte thënë Kearns.