Rajon - Botë

Vuçiq sërish kapet nga kamera në vetizolim

Kamera e televizionit kinez ka kapur presidentin serb Aleksandar Vuçiq teksa qëndron sërish vetëm. Këtë herë ai është filmuar duke ecur i vetëm në korridoret e godinës në Pekin, ku po mbahet samiti “Brez dhe Rrugë”.

Rastësisht apo qëllimisht, herë pas here në rrjetet sociale, e ndonjëherë edhe në llogarinë në Instagram të presidentit të Serbisë, shfaqet një video nga një ngjarje e rëndësishme, në të cilën shihet se Aleksandar Vuçiq qëndron në këmbë apo rri ulur vetëm.

Siç raportojnë mediat serbe, në samitin në Kinë, ku presidenti serb po qëndron këto ditë, është regjistruar momenti kur Vuçiq po ecte i vetëm dhe i thelluar në mendime, transmeton Telegrafi.

Nëse përkthimi nga gjuha kineze është i saktë, presidenti i Serbisë është pyetur nëse dëshiron çaj, por ai ka falënderuar dhe ka refuzuar.

Një situatë e ngjashme ndodhi në janar, kur në panelin për Ballkanin Perëndimor, i mbajtur në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, presidenti serb u ul i vetëm i ndarë nga të gjithë liderët e tjerë.