Mickoski kërkon marrëveshje për zgjedhjet! Kovaçevski: Për zgjedhje të dyfishta nuk bëhet fjalë
Çështja e datës dhe mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare dalëngadalë po bëhet temë e partive politike dhe theksi kryesor është nëse ato do të mbahen veçmas apo së bashku me raundin e dytë të zgjedhjes së presidentit. Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se për momentin ende nuk ka bisedime për datë ose nëse ato do të mbahen në datën e njëjtë.
“Aktualisht nuk po flasim për datë të përbashkët e as për data konkrete, por po flasim për mbajtjen e zgjedhjeve në term të rregullt. Datat specifike varen nga vendimet ligjore, sa ditë para përfundimit të mandatit mund të organizohen zgjedhjet parlamentare dhe ato presidencialet dhe normal se data e saktë varet gjithmonë nga ajo që do të dakordohet, çfarë do të votohet dhe nga propozohet nga ana e kryetarit të Kuvendit”, theksoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Mirëpo kreu i opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, tashmë dha ofertë për një datë duke e përmendur 8 majin si data e mundshme, tre ditë pas Pashkëve, si dhe se zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Sot ai përsëriti propozimin, por gjithashtu tha se nuk ka pasur asnjë komunikim me qeverinë dhe partitë e tjera për të përcaktuar datat dhe afatet e zgjedhjeve.
“Do të ishte marrëzi të shpenzohen më tej resurset e qytetarëve dhe të organizohen zgjedhje të veçanta që do të ndodhin me 30 deri në 60 ditë diferencë, dhe do të ishte vërtet e kotë nëse ndonjëri prej nesh do ta mbështeste një ide të tillë. Le të formojnë një grup pune për të përcaktuar afatet sepse koha po ikën. Do të hyjmë në periudhë kur do të jetë problematike. Nëse zgjedhjet mbahen më 8 maj, ne, për më pak se 100 ditë do të kemi qeveri teknike”, pohoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
BDI së këto ditë deklaroi se data për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare do të duhet të dakordohet mes partive politike. Por, për momentin nga Kuvendi nuk ka njoftim se kur do të caktohet mbledhja e grupeve pune që do të diskutojnë për mbajtjen e zgjedhjeve.