Maqedoni

Në Shkup simulim tërmeti ndërsa në Tetovë tërmet i vërtetë

Këto pamje janë simulim tërmeti në rrugën e Ilindenit në Shkup.

Por në fakt tërmeti i vërtetë sot ndodhi në rrethinë të Tetovës me magniturë 3.3 të shkallës Rihter i cili u ndje edhe në Shkup dhe rrethinë, shkruan Alsat.

Siç njoftoi Qendra Sizmologjike, epiqendra e tërmetit ishte rreth 15 kilometra në verilindje të Tetovës.

Por sa jemi të përgatitur si shtet për tu përballur me fatkeqësi të tilla natyrore?!

“Kjo stërvitje sot do të na tregon edhe se deri ku kemi arritur me zhvillimin e mëtutjeshëm, kisha thënë se mundemi si shtet si organizata si subjekte të cilat janë në funksion të sistemit, kemi përparim por asnjëherë nuk është e kufizuar dhe mundësitë çdoherë janë për të shkuar edhe më përpara dhe kjo është një mundësi të shohim çka është ajo që ne duhet ta përmirësojmë dhe të jemi më të mirë se jemi tani”, tha Sait Saiti – sekretar i përgjithshëm i kryqit të kuq në RMV.

Presidenti Stevo Pendarovski në fjalimin e tij në këtë simulim tërmeti uroi që mos të ndodhë një gjë e tillë në realitet, por shtoi se institucionet po funksionojnë edhe nëse ndodhë ndonjëherë.

“Dua t’u uroj dhe t’u dëshiroj që asnjëherë të mos na ndodhin aktivitete të këtilla në jetën reale por qytetaret tanë nga kjo që e panë mund të konstatojnë, të jenë të sigurt se edhe nëse kemi situata të tilla, ka institucione, ka koordinim ndërmjet tyre, ka sinkronizim të shkëlqyeshëm ndërmjet sektorit shtetëror dhe privat, ka bashkëpunim të shkëlqyer ndërkombëtar, rajonal dhe nëse do të kishim situatë të tillë, përgjigja do të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm”, u shpreh Stevo Pendarovski – president.

Në këtë simulim tërmeti morën pjesë rreth 400 persona prej të cilëve rreth 50 persona ishin nga shtete të tjera.

Stërvitja ishte në organizim të Kryqit të Kuq në vazhdën e shënimit të 60 vjetorit të tërmetit i cili ndodhi në Shkup në vitin 1963 ku humben jetën mbi 1000 persona dhe rreth 80 % e qytetit të Shkupit u shkatërrua./