Pentagoni: SHBA-ja ofron sisteme të sigurisë për të eliminuar Hamasin, jo për të vrarë civilë
“Ne pa dyshim po i japim Izraelit sistemet e sigurisë që duhen për të eliminuar Hamasin në Gaza… Kjo nuk do të thotë vrasjen e civilëve të pafajshëm”, tha zv/sekretarja për media e Pentagonit, Sabrina Singh
Pentagoni: SHBA-ja ofron sisteme të sigurisë për të eliminuar Hamasin, jo për të vrarë civilë Foto: Murtadha Al-Sudani/AA
Washington DC
Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka deklaruar se SHBA-ja po ofron sisteme të sigurisë për Izraelin për të eliminuar grupin palestinez Hamas dhe “kjo nuk do të thotë vrasjen e civilëve të pafajshëm” në Palestinë, raporton Anadolu.
“Ne pa dyshim po i japim Izraelit sistemet e sigurisë që duhen për të eliminuar Hamasin në Gaza… Kjo nuk do të thotë vrasjen e civilëve të pafajshëm”, tha zv/sekretarja për media e Pentagonit, Sabrina Singh.
Komentet e saj erdhën në përgjigje të një pyetje lidhur me raportet për një sulm izraelit në Spitalin Baptist Al-Ahli Arabi në Gaza.
“Unë jam në dijeni të raporteve, por nuk kam asgjë për të ofruar më tej në këtë moment”, tha Singh për sulmin që la qindra njerëz të vdekur.
Duke lavdëruar ushtrinë izraelite si “shumë të aftë dhe profesionale”, Singh tha: “Ne besojmë se ndihma e sigurisë që ata po përdorin në Gaza do të përdoret siç duhet dhe do të përdoret për të shënjestruar Hamasin, por gjithashtu duke lejuar qëllimet e asistencës civile humanitare”.
Singh theksoi se zyrtarët amerikanë vazhdojnë kontaktet e tyre me izraelitët për të siguruar që civilët në Gaza të kenë atë që u nevojitet dhe të mund të evakuohen në zona të sigurta.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Ashraf al-Qudra, për Anadolu tha se mbi 500 njerëz u vranë në një sulm ajror izraelit në Spitalin Baptist Al-Ahli mbrëmë vonë.
Sulmi vjen në ditën e 11-të të konfliktit, me një thirrje ndërkombëtare në rritje të grupeve joqeveritare dhe liderëve botërorë që thonë se fushata e bombardimeve izraelite në Rripin e Gazës së rrethuar, duke përfshirë objektet e kujdesit shëndetësor, shtëpitë banuese dhe shtëpitë e adhurimit, shkel ligjin ndërkombëtar dhe mund të përbëjë krime lufte.
Hamasi shënjestrimin e spitalit nga Izraeli e quajti “gjenocid”.